Qyteti i Gazës dhe zona përreth tij po përjetojnë zi buke, ka konfirmuar një grup ekspertësh të sigurisë ushqimore i mbështetur nga OKB-ja.
Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC), i cili përdoret nga qeveritë dhe organet ndërkombëtare për të identifikuar nivelet e urisë në të gjithë botën, e ka ngritur klasifikimin e tij në Fazën 5 - më e larta dhe më e rënda.
Sistemi i mbështetur nga OKB dhe i njohur globalisht për klasifikimin e pasigurisë ushqimore dhe kequshqyerjes ka deklaruar vetëm katër zi buke të tjera që nga themelimi i tij në vitin 2004.
Është hera e parë që një klasifikim i tillë bëhet jashtë kontinentit afrikan, pasi rastet e mëparshme ishin në Somali në vitin 2011 dhe Sudan në vitet 2017, 2020 dhe 2024. Ky njoftim është i pari i IPC-së jashtë Afrikës. Qyteti i Gazës është shtëpia e rreth gjysmë milioni njerëzve.
Thuhet se mbi gjysmë milioni njerëz në të gjithë Rripin e Gazës po përballen me kushte "katastrofike" të karakterizuara nga "uria, varfëria dhe vdekja".
Izraeli tha se raporti i IPC-së ishte bazuar në "gënjeshtra të Hamasit". Izraeli vazhdon të kufizojë sasinë e ndihmës që hyn në Gaza dhe më parë ka mohuar se ka uri në territor.
Ky mohim është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë që kanë thënë më shumë se 100 grupe humanitare , dëshmitarë në terren dhe organe të shumta të OKB-së.
Raporti i IPC-së e përshkruan urinë si "tërësisht të shkaktuar nga njeriu" dhe thotë se nevojitet një "përgjigje e menjëhershme dhe në shkallë të gjerë" përndryshe do të ketë një "përshkallëzim të papranueshëm" të vdekjeve të lidhura me urinë.
Parashikohet që midis mesit të gushtit dhe fundit të shtatorit, uria do të zgjerohet në të gjithë rripin e detit deri në Deir al-Balah dhe Khan Younis.
Në përgjigje të raportit, shefi i ndihmës së OKB-së, Tom Fletcher, tha se uria ishte plotësisht e parandalueshme, duke thënë se ushqimi nuk mund të arrinte në territorin palestinez "për shkak të pengesave sistematike nga Izraeli".
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha: “Pikërisht kur duket se nuk kanë mbetur më fjalë për të përshkruar ferrin e gjallë në Gaza, është shtuar një fjalë e re: ‘uri’.”
Ai e përshkroi atë si "jo një mister", por përkundrazi "një katastrofë të shkaktuar nga njeriu, një akuzë morale dhe një dështim të vetë njerëzimit"./ZËRI