Bota

Konflikti në Lindjen e Mesme, Irani nis vendosjen e minave në Ngushticën e Hormuzit

Sipas ‘CNN’, Irani ka paralajmëruar më parë se çdo anije që kalon nëpër ngushticë mund të sulmohet, dhe kanali është i mbyllur që nga fillimi i tensioneve.

I.F
Konflikti në Lindjen e Mesme, Irani nis vendosjen e minave në
Foto ilustruese

TEHERAN- Irani ka nisur vendosjen e minave në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit energjetik në botë, që transporton rreth një të pestën e të gjithë naftës bruto globale. Mësohet se minat e vendosura deri më tani janë relativisht të pakta, vetëm disa dhjetëra gjatë ditëve të fundit, por Irani zotëron ende mbi 80–90% të anijeve të vogla, duke e bërë të mundur vendosjen e qindra minave në kanalin ujor.

Sipas ‘CNN’, Irani ka paralajmëruar më parë se çdo anije që kalon nëpër ngushticë mund të sulmohet, dhe kanali është i mbyllur që nga fillimi i tensioneve. Zyrtarët amerikanë e kanë përshkruar gjendjen e ngushticës si një “luginë vdekjeje” për shkak të rreziqeve të mëdha që paraqet tranziti.

Ndërkohë, Marina Amerikane nuk ka shoqëruar ende asnjë anije përmes ngushticës. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se administrata e tij po shqyrton mundësitë për të siguruar tranzitin e anijeve në këtë rrugë strategjike. Po ashtu, edhe sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt tha se Trump është i përkushtuar për të lejuar rrjedhën e lirë të naftës përmes ngushticës së Hormuzit. Më tej, ajo pohoi gjithashtu se amerikanët do të shohin se çmimet e naftës dhe gazit do të bien me shpejtësi sapo objektivat e sigurisë kombëtare të ushtrisë amerikane të “arrihen plotësisht” në Iran./ZËRI

Poll

MOS HUMB