
KOSOVË- Arsenalit të armatimeve të Forcave të Sigurisë së Kosovës pritet ti shtohen dhe raketat anti-tank FGM-148 ‘Javelin’, të cilat do ti blejë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas procedurës standarte të ndjekur në raste të tilla, kërkesa e Kosovës, do të kalojë në Kongresin Amerikan, ku pritet të jepet dhe konfirmimi. Raketa e prodhuar nga Lockheed Martin dhe Raytheon ka fuqi shpërthyese të jashtëzakonshme dhe mund të përdoret nga një ushtar i vetëm. Ndërsa çmimi i një rakete Javelin është rreth 180 mijë dollarë.
Në lidhje me këtë ka ardhur dhe reagimi nga Beogradi zyrtar. Kështu Presidenti serb Aleksandër Vuçiç e ka cilësuar si zhgënjyes faktin se SHBA-të e kanë pranuar një kërkesë të tillë nga Kosova. Por pavarësisht kësaj, Vuçiç shprehet se Serbia do të vijojë të bashkëpunojë me SHBA-në. Deklaratën lideri serb e bëri pas një takimi që zhvilloi me Ambasadorin e SHBAsë në Serbi, Christopher Hill.
Aleksandër Vuçiç: Për ne është me rëndësi të madhe që paqja në rajon të mos prishet dhe Serbia do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan.
Çfarë janë raketat Juvelin?
Ato kanë gjatësi 1.2 metra dhe drejtohet automatikisht drejt objektivit pas lëshimit. Ushtarët mund të ripozicionohen menjëherë pas lëshimit dhe mund ta ngarkojnë për gjuajtjen e radhës. Raketa ka aftësi të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekondë (540 km/h) pasi të lëshohet dhe nuk dështojnë në objektiv. Ushtria amerikane ka prodhuar afro 38 mijë raketa të tilla deri më tani./ZËRI