Bota

Kosova në Këshillin e Evropës/ Serbia formon ekipin kundër anëtarësimit

Në krye të Grupit Punues është emëruar zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç.

f.t
Kosova në Këshillin e Evropës/ Serbia formon ekipin kundër
FOTO ILUSTRUESE

SERBI- Serbia ka formuar grupin punues që është thënë se do të merret me koordinimin e aktiviteteve të organeve shtetërore për të parandaluar anëtarësimin eventual të Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës. Grupi punues u formua me urdhër të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë seancës të mbajtur më 5 prill në Qeverinë serbe.

“Ky grup punues ka mbajtur mbledhjen e parë”, -u tha në një njoftim të Qeverisë serbe.

Në krye të Grupit Punues është emëruar zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, ndërsa zëvendëskryetar do të jetë Petar Petkoviç, drejtori i Zyrës për Kosovën. Ky grup punues, i cili tashmë ka mbajtur sot seancën e parë, do të koordinojë aktivitetet e të gjitha organeve shtetërore të Republikës së Serbisë në të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me parandalimin e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Bashkimi Evropian nuk ka komentuar planet e Serbisë për të tentuar që të pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka miratuar raportin për Kosovën, duke i hapur rrugën hapave të ardhshëm drejt anëtarësimit në këtë organizatë. Pas miratimit në Komision, draft opinioni duhet të diskutohet dhe miratohet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës që pritet të mbahet në prill.

/ZËRI

 

 

Poll

MOS HUMB