Bota

Miratohet raporti, Kosova një hap para drejt anëtarësimit në Këshillin Europian

Raporti u miratua me 31 vota për, 4 kundër dhe një abstenim.

f.t
Miratohet raporti, Kosova një hap para drejt anëtarësimit në
FOTO ILUSTRUESE

KOSOVË-Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka njoftuar se Kosova e ka kaluar me sukses votimin e sotëm në Komitetin e Asamblesë Parlamentare në KiE, që është edhe hapi i parë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas Ahmetit, ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. 

“Sapo është miratuar opinioni i raportueses Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës. Ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit”, ka shkruar Ahmeti.

Në raportin e Bakoyyanis, tha zëvendësministri Ahmeti, kërkohet po ashtu edhe largimi i fusnotës që vendoset para emrit të Kosovës, “fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Zëvendësministri i MPJ-së së Kosovës ka njoftuar se të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që, sipas tij, tregon se Kosova “duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”. 

“Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5”,-u shpreh ai.

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka miratuar raportin (draft-opnionin) e Dora Bakoyannis. Raporti u miratua me 31 vota për, 4 kundër dhe një abstenim. Pas miratimit në Komision, draft opinioni duhet të diskutohet dhe miratohet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës që pritet të mbahet në prill.

Pse Kosova aplikon tani?

Më 16 mars të këtij viti, Federata Ruse është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë. Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.  Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale, në rast se vlerësohet se Kosova i plotëson kushtet. Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por nuk ka arritur ende të anëtarësohet në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Ajo nuk është ende as anëtare e Bashkimit Evropian, as e Organizatës Botërore të Tregtisë, as e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale e të tjera.

Kosova ka aplikuar të enjten, 12 maj, për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, e ka dorëzuar aplikacionin fizikisht. Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës. Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti.

Cilat janë vendet anëtare të Këshillit të Evropës?

Shqipëria, Andorra, Armenia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Moldavia, Rumania, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar. Vende vëzhguese janë: Kanadaja, Izraeli, Japonia, Selia e Shenjtë, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara.

Çfarë është Këshilli i Evropës?

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Është themeluar më 1949. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare. Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë. Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë. Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme. Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB