Bota

Kurti hodhi akuza për komplot mes Lajçak dhe Vuçiç, reagon DASH

DASH vlerësoi të hënën ato që i quajti përpjekje të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi.

D.XH
Kurti hodhi akuza për komplot mes Lajçak dhe Vuçiç,
Vucic, Lajcak dhe Kurti

PËRPLASJA- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti të hënën teksa mbajti një konferencë për mediat hodhi akuza në drejtim të emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, se po bashkëpunon me palën serbe në këtë proces. Kurti tha se Lajçak po mbron interesat e Serbisë.

Kurti saktësoi se akuzat e tij nuk janë për Bashkimin Europian si institucion, por veçanërisht për Lajçak. “Unë nuk do të thosha që ka pasur koordinim të BE-së me Serbinë, por emisari special i BE-së ka pasur koordinim me presidentin e Serbisë, sepse nuk shpjegohet ndryshe fakti që fshihet mungesa e propozimeve të Serbisë e shpërfillen propozimet tona”, u shpreh kryeministri i Kosovës. Ai tha më tej se Serbia nuk ka bërë asnjë propozim veç një dokumenti kushtëzues.

“Ne kemi besuar se kompromiset që formulonte Lajçak janë mes dy propozimeve të Kosovës dhe Serbisë, por është duke dalë se propozimet tona janë deformuar. Në mënyrë paradoksale, Serbia ka bërë Lajçakun përfaqësues”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës shtoi se në këtë rast nuk mund ta barazojë emisarin evropian me Bashkimin Evropian.

“Kjo duhet diskutuar, kjo është mënyrë aspak neutrale e ndërmjetësimit. Emisari Lajçak natyrisht që nuk më jep llogari mua si kryeministër por ai duhet t’i japë llogari Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Evropian. Unë besoj që ajo çfarë kam thënë këto ditët e fundit është më se e mjaftueshme për këtë llogaridhënie të tij atje”, tha i pari i Qeverisë së Kosovës.

Kurti tha se edhe masat e BE-së ndaj Kosovës nuk kanë të bëjnë me asnjë lloj marrëveshjeje bazike. “Çështja e masave dhe heqjes së tyre ka të bëjë me de-eskalimin në veri të Kosovës, nuk ka të bëjë me marrëveshjen bazike. Masat i kemi marrë për shkak të përpjekës për destabilizim dhe dhunës së shkaktuar në veri”, tha Kurti.

Albin Kurti ka shtuar se ekziston një rrugë e qartë për të mbajtur zgjedhje të parakohshme në komunat në veriun e Kosovës. “Ne e kemi bërë rrugën që të ndiqet në mënyrë që të kemi zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore”, u shpreh ai.

Në lidhje me deklaratat e Albin Kurtit, ka ardhur reagim edhe nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit.  DASH vlerësoi të hënën ato që i quajti përpjekje të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi.

Komentet erdhën si përgjigje ndaj një kërkesë të Zërit të Amerikës për një reagim rreth pohimeve të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili akuzoi Lajçakun për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës, në takimin e javës së kaluar mes palëve.

Kryeministri Kurti tha se u kishte dërguar letra mbi këtë çështje vendeve kryesore perëndimore, ndërsa akuzoi Lajçak ndër të tjera për “deformim të procesit”. Në përgjigjen drejtuar Zërit të Amerikës zëdhënësi i DASH-it nuk konfirmoi apo mohoi nëse letra kishte mbërritur në Uashington, por tha se:

“Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falënderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”.

Po kështu zëdhënësi i DASH-it shprehte zhgënjimin mbi mungesën e përparimit në takimin e 14 shtatorit, duke shtuar se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë.

“Ne presim që të dy vendet t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit, që arritën në fillim të këtij viti. Koha po mbaron. Ne duam të shohim përparim në detyrimet ekzistuese dhe të mëparshme bazuar tek dialogu (i lehtësuar nga BE-ja) dhe marrëveshja e Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

Zëdhënësi i DASH-it e përfundoi reagimin e tij duke shtuar se Uashingtoni është plotësisht i bashkuar me vendet e partnere të Kuintit në mbështetjen që i jep procesit të dialogut. Ai tha se SHBA-të do të konsultohet si brenda ashtu edhe me partnerët e tyre evropianë mbi hapat e ardhshëm.

Zemërimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve me Serbinë është “plotësisht i arsyeshëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Leon Hartuell, bashkëpunëtor i lartë në Shkollën e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike. Hartuell thotë se “është e rëndësishme të sqarohet se Kurti nuk po ia mbyll derën BE-së si institucioni kryesor lehtësues” i bisedimeve.

“Zemërimi i tij përqendrohet kryesisht në performancën e Josep Borrellit dhe të Mirosllav Lajçakut – dy zyrtarëve më të shquar evropianë, të ngarkuar me ndërmjetësimin e dialogut Beograd-Prishtinë. Përveç trajtimit pa kujdes të dialogut dhe qasjes së tyre të pabarabartë, vlen të theksohet se Borrell dhe Lajçak vijnë nga Spanja dhe Sllovakia, dy vende që nuk e njohin zyrtarisht pavarësinë e Kosovës”, thotë Hartuell.

Për Afrim Hotin, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, mosbesimi ndaj Lajçakut daton nga koha kur ai ishte ministër i Punëve të jashtme të Sllovakisë – njëherë në periudhën 2009-2010, pastaj më 2012-2020.

Nga ai post, kujton Hoti për Evropën e Lirë, Lajçak ka votuar kundër Kosovës në procesin e pranimit të saj në organizata ndërkombëtare.

“Kjo që kryeministri kosovar po e vë tashmë në shesh, praktikisht është ditur shumë më herët, vetëm se tashmë po thuhet me terma shumë të qartë. Nisur nga fakti që zoti Lajçak e ka mbështetjen e të gjitha qendrave kryesore të Bashkimit Evropian, por edhe atyre dytësore – pra, të të gjitha shteteve anëtare të BE-së, përfshirë këtu edhe mbështetjen e fuqishme nga SHBA-ja, kujtoj se situata po bëhet vërtet e komplikuar”, thotë Hoti.

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdon që të mos njohë përparime të qenësishme dhe konkrete, ndërsa tashmë situata është acarruar edhe më tepër, pasi Kurti publikisht akuzoi Lajçak se punon në favor të Serbisë./Zëri

Poll

MOS HUMB