Bota

Kush janë liderët më të njohur të Hamasit?

Kush janë disa nga liderët më të rëndësishëm të Hamasit. Njihuni me jetët e tyre, nga burgosjet, sulmet ndaj shtetit izraelit dhe vrasja e të afërmve nga Izraeli.

D.XH
Kush janë liderët më të njohur të Hamasit?
Lideret e Hamasit

GAZA - Që kur Hamasi befasoi Izraelin me sulmin e tij më vdekjeprurës dhe më shkatërrues të nisur ndonjëherë nga Gaza, mbetet një mister se kush e organizoi sulmin terrorist.

Shumë nga burrat që drejtojnë Hamasin, i cili kontrollon Gazën, mbajnë një profil të ulët publik, ndërsa të tjerë kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre duke i shpëtuar tentativave për vrasje nga Izraeli.

Ismail Haniyeh

Ismail Haniyeh konsiderohet lideri i Hamasit. Ai ishte një anëtar i devotshëm i lëvizjeve pro palestineze në fund të viteve 1980 dhe Izraeli e burgosi për tri vite, më 1989.

Më pas ai u internua në vitin 1992 në një zone midis Izraelit dhe Libanit, së bashku me shumë udhëheqës të Hamasit. Pas një viti në mërgim, ai u kthye në Gaza. Në vitin 1997 ai u emërua shef i zyrës së udhëheqësit shpirtëror të Hamasit, duke forcuar pozicionin e tij në organizatë.

Haniyeh u emërua kryeministër i Palestinës në vitin 2006 nga presidenti Mahmoud Abbas, pasi Hamasi fitoi shumicën e vendeve në parlament, në zgjedhjet kombëtare palestineze, por u shkarkua një vit më vonë,  pasi grupi militant, nuk lejoi më partinë Fatah të Abasit të kishte influencë në Rripin e Gazës.

Haniyeh e quajti shkarkimin e tij jokushtetues, duke theksuar se qeveria e tij nuk do të heqë dorë nga përgjegjësitë e saj ndaj popullit palestinez dhe vazhdoi të sundojë në Gaza. Ai u zgjodh kreu i byrosë politike të Hamasit në vitin 2017. Në vitin 2018, Departamenti Amerikan i Shtetit e cilësoi Haniyeh si terrorist. Ai ka jetuar në Katar vitet e fundit.

Jahja Sinuar

Udhëheqësi i lëvizjes Hamas në Rripin e Gazës, Yahya Sinuar, ka lindur në vitin 1962. Ai është themeluesi i shërbimit të sigurisë Hamas, i njohur si Majd, i cili menaxhon çështjet e sigurisë së brendshme, heton agjentët e dyshuar izraelitë dhe lokalizon inteligjencën dhe sigurinë izraelite.

Sinuar është arrestuar tre herë. Pas arrestimit të tij të tretë në vitin 1988, ai u dënua me katër burgime të përjetshme. Megjithatë, ai ishte në mesin e 1027 të burgosurve arabë palestinezë dhe izraelitë të liruar nga Izraeli në këmbim të një ushtari izraelit të mbajtur rob nga Hamasi, për më shumë se pesë vjet.

Sinuar u kthye në pozicionin e tij si zyrtar i lartë i Hamasit dhe u emërua kreu i zyrës politike të organizatës në Rripin e Gazës, në vitin 2017. Në vitin 2015, SHBA e futi Sinuarin në listën e zezë si një "terrorist ndërkombëtar".

Muhamed Deif

Mohammed Deif kryeson Brigadën Izz al-Din al-Qassam, që është dhe krahu ushtarak i Hamasit. Ai është një figurë që preferon të qëndrojë në hije, njohur për palestinezët si truri i organizimeve të sulmeve të ndryshme ndaj Izraelit dhe për izraelitët si macja me 9 jetë. Autoritetet izraelite e burgosën atë në vitin 1989, por më vonë ai themeloi Brigadën al-Qassam, për të arrestuar ushtarët izraelitë.

Pas lirimit të tij, ai ndihmoi në ndërtimin e tuneleve, që lejuan luftëtarët e Hamasit të hynin në Izrael nga Gaza. Deif është një nga njerëzit më të kërkuar në Izrael, i akuzuar për planifikimin dhe mbikëqyrjen e bombave të autobusëve, që vranë dhjetëra izraelitë në vitin 1996. Ai dyshohet si i përfshirë në kapjen dhe vrasjen e tre ushtarëve izraelitë në mesin e viteve 1990. Izraeli e burgosi ​​atë në vitin 2000, por ai u arratis në fillimin e kryengritjes së dytë palestineze. Që atëherë, pak dihet për vendndodhjen e tij.

 

Atentati më i rëndë kundër tij ndodhi në vitin 2002. Deif mbijetoi, por humbi njërin sy. Izraeli thotë se ai gjithashtu humbi një këmbë dhe një krah dhe ka probleme në të folur. Forcat izraelite të sigurisë përsëri dështuan ta vrasin Deifin, gjatë një sulmi në Rripin e Gazës në vitin 2014, por vranë gruan dhe dy fëmijët e tij.

Marvan Issa

Marvan Issa, i njohur si Njeriu Hije dhe krahu i djathtë i Mohammed Deif, është nënkryetari i Brigadave Izz al-Din al-Qassam. Forcat izraelite e mbajtën në burg për pesë vjet, për shkak të aktivitetit të tij me Hamasin. Autoriteti Palestinez e arrestoi Issa-n në vitin 1997, por u lirua më 2000. Ai ishte në listën e më të kërkuarve të Izraelit dhe u plagos, kur Izraeli tentoi ta vriste në vitin 2006.

Avionët luftarakë izraelitë shkatërruan shtëpinë e tij dy herë gjatë pushtimeve në Gaza, në 2014 dhe 2021, duke vrarë vëllain e tij. Më 2011, ai u shfaq në një foto në grup të bërë gjatë një shkëmbimi të të burgosurve. Ai besohet të ketë luajtur një rol të madh në planifikimin e sulmeve ndaj Izraelit, duke përfshirë edhe të fundit.

Khaled Meshaal

Khaled Meshaal, i lindur në Bregun Perëndimor në vitin 1956, konsiderohet një nga themeluesit e Hamasit. Nën drejtimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Mossad tentoi të vriste Meshaal në vitin 1997, ndërsa ai jetonte në Jordani.

Meshaal, i cili jeton në Katar, vizitoi Rripin e Gazës për herë të parë në vitin 2012. Ai u prit nga zyrtarë palestinezë dhe turma palestinezësh dolën për ta pritur atë.

Hamasi zgjodhi Ismail Haniyeh për të pasuar Meshaalin si kreun e byrosë së tij politike në vitin 2017 dhe Meshaal u bë kreu i byrosë politike të organizatës, jashtë vendit.

Mahmud Zahar

Mahmoud Zahar lindi në Gaza në vitin 1945 nga një baba palestinez dhe një nënë egjiptiane. Ai konsiderohet si një nga liderët më të rëndësishëm të Hamasit dhe anëtar i udhëheqjes politike të lëvizjes.

Ai shkoi në shkollë në Gaza dhe në universitet në Kajro dhe më pas punoi si mjek në Gaza dhe Khan Younis derisa autoritetet izraelite e arrestuan atë, për shkak të pozitës së tij politike. Mahmud Zahar u mbajt në burgjet izraelite në vitin 1988, muaj pas themelimit të Hamasit. Ai ishte ndër të dëbuarit nga Izraeli në vitin 1992.

 

Me fitoren e Hamasit në zgjedhjet e përgjithshme palestineze të vitit 2006, Zahar iu bashkua Ministrisë së Jashtme, në qeverinë e sapoformuar të kryeministrit Ismail Haniyeh.

Izraeli tentoi të vriste Zaharin në vitin 2003, kur një aeroplan bombardoi shtëpinë e tij në qytetin e Gazës. Sulmi e la atë me lëndime të lehta, por vrau djalin e tij të madh, Khaled.

Djali i tij i dytë, Hosam, i cili ishte anëtar i Brigadave Al Qassam, u vra në një sulm ajror izraelit në Gaza në vitin 2008. Hamasi akuzohet nga Izraeli, se organizoi një sulm në qytetet izraelite, duke vrarë më shumë se 1400 persona./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB