
MAQEDONI E VERIUT- Disa orë pas arrestimit të tij nga njësia speciale e policisë, gazetari dhe themeluesi i PortaliX, Furkan Saliu, është lënë i lirë. Ai u prit nga shumë kolegë e dashamirës, përpara komisariatit të policisë, ndërkohë që u lanë të lirë përveç tij dhe kameramani i PortaliX, Fatlum Aliu dhe montazhieri Ariton Ramadani. Ata u arrestuan në fshatin Konjare, pas ndeshjes së futbollit Konjare – FK Kumanovo në Ligën e Tretë të vendit.
Ai tha se policia e arrestoi, pasi ai po i filmonte teksa dhunonin një të ri jashtë ambienteve të stadiumit.
“U publikuan lajme se po bastiset shtëpia ime, që nuk është e vërtet, u publikuan lajme që është gjetur një armë pa u potencuar se ajo armë është me leje dhe dolën edhe ministri sa më treguan, nuk e kam lexuar saktë, më gjykoi me status Facebook, duke thënë se kam sulmuar polic, le ta provojnë, le ta dëshmojnë, unë prej nesër nuk e punoj këtë punë", u shpreh Saliu.
Saliu thotë se nuk ka sulmuar asnjë polic, ndërsa akuzon se edhe kontrolli I makinës dhe tij, ka qenë në shkelje të ligjit.
“Pa prezencën time, në veturën time personale kanë bërë bastisje me qëllim që t’i fshijnë videot të arrestimit tim dhe dhunës që kanë përdorur ndaj meje. Dmth pa prezencën time, pa urdhër të gjykatës është hapur vetura që është në emrin tim privat, ku është gjetur arma ime, e tipit Glock, që mburrem që e mbaj me vete, për shkak se në këtë shtet duhet. Arma ka qenë me leje edhe ka qenë sipas ligjit e lënë në gepek, nuk ka pasur as plumba as asgjë”, tha Saliu.