
GAZA- Komisioni Evropian njoftoi sot se do të dhurojë 120 milionë euro ndihmë humanitare për Rripin e Gazës pas shpalljes së marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit. Nidhma do të bëhet për të ndihmuar vendin nga “situata katastrofike”, tha një përfaqësues i Komisionit Evropian gjatë konferencës për shtyp në Bruksel.
“Kryesisht parashikohet ofrimi i ndihmës ushqimore urgjente, ndihmës mjekësore dhe pajisjeve, me qëllim të përmirësimit të aksesit në ujë të pijshëm”, thuhet në deklaratën e Komisionit.
Tashmë, rreth 3,800 tonë ndihma humanitare janë dërguar gjithashtu me avion për të ndihmuar popullsinë e Gazës. BE -ja dje përshëndeti shpalljen e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza dhe tha sot se “shpreson se do të lejojë qasje më të mirë në ndihmën humanitare dhe se kjo ndihmë do të shpërndahet në mënyrë efektive për ata që kanë nevojë", nënvizoi një tjetër përfaqësues i BE-së.
Komisionerja përgjegjëse për menaxhimin e krizave, Haja Lahbib, ka takuar sot në Bruksel kryeministrin palestinez, Mohamed Mustafa.
"Ne diskutuam për nevojat e mëdha në Gaza dhe Bregun Perëndimor dhe mjetet për t'iu përgjigjur atyre", vuri në dukje komisionerja në një postim në rrjetin social X, në të cilin ajo sqaroi se së shpejti do të udhëtojë në territoret palestineze.
Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshje për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve. Një ekip i përbashkët i Shteteve të Bashkuara, Katarit dhe Egjiptit do të monitorojë armëpushimin në Gaza përmes një organi me qendër në Kajro. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al-Thani, duke njoftuar marrëveshjen mes Izraelit dhe Hamasit.
Brenda gjashtë javësh, të dyja palët duhet të respektojnë kushtet e dakorduara, të cilat përfshijnë si kthimin e 33 pengjeve që kanë qenë në duart e Hamasit që nga 7 tetori, ashtu edhe lirimin e një numri të caktuar të burgosurish palestinezë nga burgjet izraelite. /ZËRI