
SHBA- Të paktën 22 persona u vranë dhe disa dhjetëra të tjerë u plagosën të mërkurën në të shtëna masive me armë në qytetin Lewiston të shtetit Maine, raportojnë mediat amerikane të cilat citojnë burime të ndryshme nga organet e zbatimit të ligjit. Deri në publikimin e këtij lajmi ende nuk dihet numri i saktë i viktimave, të cilat sipas kryebashkiakut të qytetit përfshijnë të gjitha moshat.
Departamenti i policisë në Lewiston identifikoi në rrjetin Facebook një person që besohet se ka lidhje me të shtënat masive në një bar sportiv. Robert Card, 40 vjeç, duhet të konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm, tha policia, dhe deri në këto momente ende nuk është kapur.
Policia e shtetit Maine dhe një sherif i qarkut raportuan më herët për një sulmues aktiv por pa dhënë detaje.
“Në Lewiston ka një sulmues aktiv”, shkroi në rrjetin X policia e shtetit Maine, duke u kërkuar banorëve që të mbylleshin në shtëpi ndërsa organet e rendit po hetonin të shtënat në disa vende.
Organet e rendit postuan në rrjetin Facebook dy foto të një të dyshuari, duke thënë se ende nuk ishte kapur.
Spitali i qytetit Lewiston tha përmes një deklarate se: “po reagonte ndaj një sulmi masiv me viktima të shumta dhe po koordinohej me spitalet e zonës për pranimin e pacientëve”.
Gazeta e qytetit Lewinston “The Sun Journal” citoi zëdhënësin e policisë të ketë thënë se ishin regjistruar incidente me të shtëna në tre zona të ndryshme, ku është shkaktuar dhe numri kaq i lartë i viktimave.
Presidenti Joe Biden është informuar dhe do të vazhdojë të marrë përditësime, tha një zyrtar në Uashington. Guvernatorja e shtetit Maine, Janet Mills, tha në një deklaratë se ishte informuar për situatën.
Sipas mediave në SHBA Robert filloi të qëllonte mbi njerëzit, duke vrarë të paktën 22 dhe duke plagosur rreth gjashtëdhjetë. Më pas ai u arratis me një makinë Subaru, duke marrë me vete automatikun. Makina u gjet e braktisur rreth njëmbëdhjetë e gjysmë të mbrëmjes, në qytetin e afërt të Lisbonës.
Si masë sigurie janë mbyllur edhe shkollat dhe policia u ka kërkuar qytetarëve që të japin çdo informacion për kapjen e tij.
Kush është agresori
Card është 40 vjeç dhe pjesë e rezervës ushtarake të Gardës Kombëtare, e vendosur në Saco, në shtetin verior të Maine.
Ai jeton në Bowdoin dhe është një instruktor armësh. Pamjet e marra nga kamerat e sigurisë e tregojnë atë me fytyrë të zbuluar, i veshur me pantallona të zeza dhe një këmishë ngjyrë kafe, ndërsa i drejton pushkën viktimave. Arsyet e sulmit janë ende të paqarta, por Card ishte mjekuar për probleme mendore verën e kaluar.
Ai tha se dëgjonte zëra dhe për këtë arsye iu besua kujdesi i specialistëve. Nëse do të vërtetoheshin këto rrethana, është një histori që përsëritet prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithmonë në të njëjtën mënyrë.
/Zëri.ai