GAZA - Gjithsej 704 persona në Gaza janë vrarë në 24-orëshin e fundit. Shifrat janë dhënë nga Ministria e Shëndetësisë palestineze.
Shifra është numri më i lartë ditor i publikuar që nga fillimi i sulmeve izraelite kundër Gazës.
Deklarata e ministrisë, e lëshuar në Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar, tha se kishte pasur 47 ‘masakra’, ku për krimet fajësohet ushtria izraelite. Ministria, e cila kontrollohet nga Hamasi, tha se të vrarët përfshinin 305 fëmijë, 173 gra dhe 78 të moshuar.
Sipas ministrisë, viktimat e fundit e çojnë numrin e përgjithshëm të të vrarëve në Gaza në 5791 njerëz, ku përfshihen 2360 fëmijë, 1421 gra dhe 295 të moshuar. Ministria tha se ka gjithashtu 16297 njerëz që kanë lëndime dhe janë 1550 raportime për persona të zhdukur, ku 870 janë fëmijë.
Shifra vjen, ndërsa sulmet izraelite duket se po rriten; Shpërthimet gjatë natës të së dielës ishin ndër bombardimet më të qëndrueshme në veri të Gazës në dy javët e fundit. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit po përgatiten për një operacion të mundshëm tokësor në territorin e rrethuar dhe një numër i madh trupash dhe tankesh tashmë janë grumbulluar në kufi.
Izraeli ka nisur një operacion shumëpalësh mbi Hamasin nga ajri, toka dhe deti. Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa pergjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 7100 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/