
SHBA- Një studim i kryer dy vitet e fundit zbulon se metoda "fasting" e dobësimit që po përdoret gjerësisht anë e mbanë botës, është e gabuar dhe mund të sjellë pasoja në shëndet dhe prek kryesisht organin e zemrës.
E njohur gjithashtu si "ushqimi me kohë të kufizuar", praktika është një metodë e humbjes së peshës që kufizon orarin e ngrënies, zakonisht tetë orë gjatë një periudhe 24-orëshe me vetëm lëngje të konsumuara gjatë 16 orëve të mbetura.
Sa mirë funksionon "fasting" ?
Hulumtimet e mëparshme kanë treguar avantazhe të kufizimit kohor për të konsumuar ushqimin. Një përmbledhje e dhjetorit 2019 e studimeve te njerëzit dhe kafshët zbuloi përfitime nga "fasting", duke përfshirë uljen e presionit të gjakut dhe humbjen e peshës. Megjithatë, një studim njëvjeçar i botuar në prill 2022, i cili ndoqi 139 të rritur kinezë, nga mbipesha deri te obezët dukshëm, nuk gjeti asnjë përfitim mbi numërimin e kalorive për humbje peshe ose përmirësim të shëndetit kardiovaskular.
Gjetjet e reja nga studimi i dy viteve të fundit
Hulumtimi i paraqitur këtë javë tërhoqi menjëherë dyshimet dhe kritikat nga ekspertët duke sugjeruar se të ngrënit brenda një dritareje tetë orësh ose më pak lidhej ndjeshëm me një rritje prej 91% të rrezikut të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare, krahasuar me të ngrënit mbi 12-16 orë.
Një abstrakt i hulumtimit paraprak, i cili ende nuk është rishikuar apo publikuar nga kolegët, u prezantua të hënën në Çikago në një konferencë të Shoqatës Amerikane të Zemrës.
Studimi i ri analizoi të dhënat e 20,000 njerëzve të cilët iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me zakonet e tyre të të ngrënit 24-orëshe në dy ditë gjatë vitit të parë të regjistrimit në një analizë afatgjatë të shëndetit të të rriturve në SHBA, më pas u kthye në të dhënat e vdekjeve në vitet pasuese. Analiza tregoi një lidhje midis një dritareje ushqimi tetë-orësh dhe vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare.
Marrë dhe përshtatur nga CNN.