
SHBA- Kanë kaluar 16 ditë që nga arrestimi i dy liderëve të kartelit Sinaloa: Ismael El Mayo Zambada dhe Joaquín Guzmán López. Kapja e tyre shkaktoi disa hipoteza që atëherë, të cilat pak nga pak janë sqaruar duke shtuar me shumë dyshime dhe disa pyetje pa përgjigje.
Gjatë këtyre dy javëve, versionet gazetareske sugjeruan se këto arrestime ishin për shkak të një dorëzimi të mundshëm, por nuk e përjashtonin tradhëtinë dhe/ose rrëmbimin e orkestruar nga Guzmán López të kumbarit të tij, El Mayo Zambada García. Ky i fundit, sipas DEA vuan nga diabeti dhe për shkak të neglizhencës së tij ushqimore, sëmundja i është përkeqësuar ndjeshëm.
Këto hipoteza u sqaruan në një farë mënyre më 9 gusht, kur ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Meksikë, Ken Salazar tha se djali i "El Chapo", Guzman u dorëzua vullnetarisht tek autoritetet e Amerikës së Veriut më 25 korrik, ndërsa "El Mayo" - u dërgua në aeroportin në Santa Teresa kundër vullnetit të tij. Pra thjesht kishte hipur në një avion dhe e kishte parë veten në Teksas.
Deklaratat e Ken Salazar shkojnë paralelisht me hipotezat e tradhtisë së Guzmán López ndaj Zambada García-s, pasi ambasadori amerikan në Meksikë theksoi se "operacioni ishte një akt dorëzimi mes karteleve". Nga ana e tij, Ismael 'El Mayo' Zambada mohoi në një deklaratë, e cila u publikua mëngjesin e 10 gushtit, versionet që tregonin se ai ishte dorëzuar vullnetarisht tek autoritetet amerikane, duke akuzuar Guzmán López se e kishte mashtruar për ta rrëmbyer dhe për ta dërguar më pas në burg.
“Dua të them që në fillim se nuk u dorëzova apo erdha vullnetarisht në Shtetet e Bashkuara, as nuk kam pasur ndonjë marrëveshje me asnjërën qeveri. Përkundrazi, më rrëmbyen dhe më dërguan në Shtetet e Bashkuara me forcë dhe kundër vullnetit tim,”- tha Zambada García.

Në një intervistë për Infobae México, ish-kreu i Operacioneve Ndërkombëtare të Agjencisë Amerikane Kundër Drogës, Mike Vigil, zbuloi dy arsyet e kësaj tradhtie mes drejtuesve të kartelit Sinaloa.
“Një arsye ishte për të mirën e Guzmán López, por edhe për vëllain e tij Ovidio, i cili u ekstradua në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar. Arsyeja e dytë është për hakmarrje ndaj El Mayo-s, sepse familja Zambada, El Vicentillo (Vicente Zambada Niebla), dëshmoi kundër El Chapo Guzman në gjyqin në Nju Jork. Kjo ishte një tradhti shumë e madhe për ta.”
Mike Vigil vuri në dukje se Jesús Zambada García, alias El Rey Zambada, vëllai i El Mayo, gjithashtu dëshmoi kundër Los Chapitos.
“Një sy për një sy. Unë mendoj se kjo është ajo që ndodhi me El Mayo-n. Pavarësisht kësaj, ai i besoi Guzmán López sepse ai ishte kumbari i tij,”-shtoi Vigil.
Vite më parë, në nëntor 2021, gazetarja Anabel Hernández deklaroi në një intervistë me median "La Octava" në nëntor 2021 se ishte "El Mayo Zambada" personi që ua kishte dorëzuar El Chapon autoriteteve amerikane.
"Mayo hoqi qafe shumë njerëz që nuk ishin thelbësorë për të, duke përfshirë njerëzit e tij që kishin filluar të përplaseshin aq fort saqë ishte më mirë t'i kishin në burg ose t'i vrisnin. El Chapo ka pasur gjithmonë një problem me shefat e tij, që nga Amado Carrillo Fuentes, sepse ai ishte shumë i dukshëm, ishte shumë ngacmues, një i droguar dhe shumë protagonist. Ky protip nuk i përshtatej biznesit. Unë mendoj se El Mayo Zambada e tradhtoi atë dhe ka të ngjarë që kjo të shkaktojë një konfrontim në Sinaloa dhe rajone të tjera midis fëmijëve të El Chapo Guzman dhe vetë Mayo Zambada,"- paralajmëronte Hernández.
Koha tregoi se ajo kishte të drejtë!/ZËRI