
RUSI- Alexei Navalny, lideri i opozitës ruse, do të përcillet sot në banesën e tij të fundit, pasi humbi jetën në burg. Më shumë se 1000 njerëz ishin mbledhur pranë Kishës së Ikonës së Nënës së Zotit në Moskë për t'i dhënë lamtumirën. The Guardian raporton se në kishën ku po kryhet ceremonia mortore, por edhe në segmentet drejt varrezave ku do të prehet në Moskë, ka një prani tepër të madhe të forcave të policisë.
Ndërkohë Kremlini tha se çdo tubim i paligjshëm në mbështetje të liderit të ndjerë të opozitës ruse Alexei Navalny , i cili do të varroset të premten në Moskë , do të shkel ligjin, raporton Reuters. Në një telefonatë me gazetarët, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov nuk pranoi të jepte ndonjë vlerësim për Navalny si një figurë politike dhe tha se nuk kishte asgjë për t'i thënë familjes së Navalny.
“Vetëm një kujtesë se ne kemi një ligj që duhet ndjekur. Çdo tubim i paautorizuar do të jetë në kundërshtim me ligjin dhe ata që marrin pjesë në to do të mbahen përgjegjës përsëri, në përputhje me ligjin aktual”, tha Peskov.
Funerali do të kryhet në varrezat e Borisovskoye aty pranë në orën 16:00. Shërbimi i varrimit do të transmetohet gjithashtu në internet në kanalin e Navalny në YouTube. Navalny vdiq më 16 shkurt në burgun rus brenda Rrethit Arktik. Ai ishte burgosur për tre vjet me akuza të sajuara. Ekipi i tij, i cili ka inkurajuar njerëzit të marrin pjesë, ndau një hartë të itinerarit midis dy vendeve./ZËRI