
ITALI- Mot i keq me reshje shiu dhe në Itali. Erërat e forta kanë goditur kryeqytetin e vendit Romën, duke shkaktuar rënien e shumë pemëve.
Mediat italiane shkruajnë se një grua, e cila po kalonte rrugën, është goditur për vdekje nga një pemë. Pema ra përtokë, për shkak të erërave të fuqishme. Incidenti i rëndë ndodhi në via di Donna Olimpia, në lagjen Monteverde.
Oficerët e policisë lokale, zjarrfikësit dhe punonjësit e mbrojtjes civile ishin në vendngjarje. Shërbimet e urgjencës, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë, kanë tentuar ta shpëtojnë gruan. Mirëpo, tashmë ishte shumë vonë, pasi ajo kishte ndërruar jetë.
Një tjetër grua, teksa po ecte në një trotuar, është plagosur nga rënia e degëve të pemëve në lagjen Alessandrino. Ngjarja ndodhi në via del Pergolato. Të paktën 70 punonjës kanë qenë në gatishmëri që nga mëngjesi i sotëm, për shkak të erës së fortë në Romë dhe në të gjithë rajonin./Zëri.ai/