
SERBI- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier, ka folur pas takimit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, lidhur me ndalimin e qindra qytetarëve nga Kosova në kufijtë me Serbinë. Aty u ndaluan edhe dhjetë zyrtarë të policisë në mesin e tyre edhe zëvendësdrejtori Dejan Jankoviç. Hovenier u shpreh se është dakord me deklaratën e djeshme të Bashkimit Evropian se Serbia e ka shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.
“Ne vazhdojmë të punojmë me Bashkimin Evropian dhe jemi të përfshirë në procesin e dialogut dhe dëshirojmë që këto të zbatohen dhe deklarata e BE-së është e qartë dhe ne nuk është që nuk dakordohemi me atë deklaratë të Bashkimit Evropian dhe ne kërkojmë që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog të zbatohen dhe ne vazhdojmë të punojmë së bashku. Ne jemi të shqetësuar sepse atë e njohim tash e disa vjet për investimin e kohës dhe energjisë për komunitetin serb dhe Policinë, duke ndihmuar dhe siguruar integrimin e suksesshëm të forcës policore që u shërben të gjithëve. Ai ka pasur rol të rëndësishëm në sigurimin e ndjeshmërisë ndaj etnitetit serb dhe se Policia e Kosovës u përgjigjet dhe u ofron mbrojtje. Ai pati rol edhe në ofrimin e mbrojtjes për monumente kulturore, përfshirë dhe manastiret ortodokse serbe, në një mënyrë të fuqishme dhe me plot kuptim. Ne jemi shumë të shqetësuar dhe shpresojmë që ai të lirohet”, tha Hovenier para mediave.
Ndërkohë kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, ka reaguar në lidhje me ndalimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga autoritetet serbe gjatë së mërkurës. Ajo tha se një hap i tillë u mor pasi efektivët cënuan rendin kushtetues të Republikës së Serbisë.
“Unë supozoj se njerëzit më në fund i janë përgjigjur thirrjeve për të mbrojtur rendin kushtetues të Republikës së Serbisë dhe çdo institucion të vetëm në këtë vend. Askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk ka reaguar me vite për gjithçka që po bën Albin Kurti, për keqtrajtimin e atyre njerëzve, mendoj se do ta mirëpresin këtë tani”, tha Brnabiç.
Deri tani janë liruar nëntë zyrtarë por në paraburgim ka mbetur numri dy i organeve të rendit, Dejan Jankoviç. Një ditë më parë udhëtarë dhe autobusë nga Kosova u bllokuan në kufijtë e Serbisë me Hungarinë dhe Kroacinë. Autoritetet e Kosovës thanë se ndalimi i tyre u bë në shenjë hakmarrjeje nga Serbia për shkak të votës pro mbështetjes së anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Serbia mohoi se ka ndaluar autobusët me udhëtarë nga Kosova, duke i cilësuar akuzat e Kosovës si “të pabaza”./ZËRI