
GJERMANI- Një miliarder që prej vitesh supozohet i vdekur mund të jetë duke jetuar fshehurazi në Moskë me një grua më re. Kështu raporton "New York Post", duke risjellë prova të reja. Karl Erivan Haub, pronar dhe CEO i "Tengelmann Group" u zhduk më 7 prill 2018 teksa po bënte ski në Alpe. Kërkimet e shumta për biznesmenin e atëhershëm 58-vjeçar rezultuan të pasuksesshme dhe përfunduan pas gjashtë ditësh.

Në vitin 2021, biznesmeni i lindur në SHBA me prindër gjermanë u deklarua zyrtarisht i vdekur nga një gjykatë në Gjermani. Sidoqoftë, kohët e fundit, Prokuroria në Këln urdhëroi një hetim mbi pretendimet se vëllai i Haub, Christian, ka dëshmuar në mënyrë të rreme se nuk kishte prova të besueshme që i vëllai ishte i gjallë. Hetimi vjen pas një ankese të paraqitur nga gazetarët e kanalit "RTL", të cilët raportuan për zhdukjen e Haub. Gazetarja investigative Liv Von Boetticher tha për revistën Capital se ajo ka një foto që supozohet se është shkrepur në Moskë, në vitin 2021, ku shfaqet Haub.

Përqindja e ngjashmërisë midis Haub dhe personit që shfaqet në foto ishte rreth 90%.
Boetticher thotë se, bazuar në informacionin e saj, Christian Haub e kishte parë foton kur ai dëshmoi nën betim në maj 2021. Por tha se nuk kishte asnjë provë të besueshme se i vëllai ishte i gjallë.
Haub, lindi në Tacoma, Uashington dhe u shkollua në Zvicër. Ai ishte i martuar me dy fëmijë të vegjël kur u zhduk. Thashethemet për Haub dhe lidhjen e tij të dyshuar jashtëmartesore me Ermilovën kanë qarkulluar që nga viti 2020, kur gruaja e tij Catherine u përlesh hapur me kunetërit e saj për faktin se burri i saj nuk duhet të deklarohej zyrtarisht i vdekur. Asokohe kishte gjithashtu zëra se miliarderi kishte një pasaportë ruse përveç asaj amerikane dhe gjermane, dhe se ai kishte derdhur miliona euro përmes kompanisë së tij në Rusi midis 2010 dhe 2015.
Haub u zhduk vetëm një muaj pas vdekjes së babait të tij, Erivan Haub. Botticher, megjithatë, duket se beson se arsyeja që ai inskenoi vdekjen e tij mund të lidhet me aktivitetet e biznesit të familjes.
"Ne dyshojmë se marrëdhëniet me Rusinë ose bashkëpunëtorët rusë mund ta kenë futur Karl Erivanin në telashe në botën perëndimore,"- thotë gazetarja./ZËRI