
TOKIO- Kryeministri japonez Fumio Kishida njoftoi sot se ka anuluar një udhëtim të planifikuar në Azinë Qendrore pasi sizmologët paralajmëruan se Japonia duhet të përgatitet për një "megatërmet". Është hera e parë që lëshohet një paralajmërim i tillë që kur u vendos një sistem i ri paralajmërimi pas tërmetit shkatërrues të vitit 2011, i cili shkaktoi një cunami vdekjeprurës dhe shkatërroi edhe një termocentral bërthamor.
"Si kryeministër kam përgjegjësinë përfundimtare për menaxhimin e krizës dhe kam vendosur të qëndroj në Japoni për të paktën një javë,"- u tha Kishida gazetarëve. Kreu i qeverisë japoneze do të udhëtonte në Kazakistan, Uzbekistan dhe Mongoli dhe planifikoi të merrte pjesë në një samit që përfshin pesë vende të rajonit.
“Probabiliteti që të ndodhë një tërmet i ri i fortë është më i lartë se në kushte normale, POR kjo nuk do të thotë se do të ndodhë patjetër një tërmet,”- njoftoi Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) në paralajmërimin e saj dje. Japonia ndodhet në udhëkryqin e pllakave tektonike përgjatë 'rripit të zjarrit' të Paqësorit dhe është një nga vendet më aktive sizmike në botë.
Në arkipelag, ku jetojnë rreth 125 milionë njerëz, ndodhin rreth 1500 tërmete në vit, shumica e tyre të dobët. Edhe tërmetet më të fuqishëm në përgjithësi shkaktojnë pak dëme, kryesisht falë zbatimit të rregulloreve strikte të ndërtimit kundër tërmeteve dhe ndërgjegjësimit të publikut për masat mbrojtëse.
Qeveria japoneze ka njoftuar se ka një shans 70% që një mega-tërmet të godasë vendin brenda 30 viteve të ardhshme. Një lëkundje e tillë mund të godasë një pjesë të madhe të bregdetit japonez të Paqësorit dhe të kërcënojë jetën e rreth 300,000 njerëzve.
Tërmeti më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë në Japoni ishte një tërmet me magnitudë 9 në brigjet verilindore të saj më 11 mars 2011, i cili shkaktoi një cunami që la 18,500 të vdekur./ZËRI