Bota

Nën tensionet e reja Kosovë-Serbi pas bllokimit në kufi, BE: Nesër takimi për dinarin

Për herë të katërt, nesër në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në dialog.

f.t
Nën tensionet e reja Kosovë-Serbi pas bllokimit në kufi, BE:
Petar Petkoviç, Miroslav Lajçak dhe Besnik Bislimi

KOSOVË- Teksa situata mes Kosovës dhe Serbisë është tensionuar sërish pas bllokimit të qytetarëve në kufi nga Serbia, një takim do të zhvillohet për çështjen e dinarit. Për herë të katërt, nesër në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në dialog, në lidhje me Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës(BQK) ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje për KosovaPress thotë se rezultati i takimit do të varet nga aftësia e të dy palëve për t’u sjellë në mënyrë evropiane dhe për të arritur një marrëveshje.

“Mund të konfirmoj se nesër duhet të ketë në Bruksel një takim tjetër të kryenegociatorëve për të gjetur një zgjidhje lidhur me dinarin. Rezultati si gjithmonë varet nga aftësia e të dyja palëve për t’u sjellë në një mënyrë evropiane dhe për të arritur një marrëveshje”, thotë ai.

Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak në takimin e fundit të kryenegociatorëve ka propozuar një zgjidhje të përkohshme për çështjen e dinarit, i cili u pranua nga pala kosovare, mirëpo u refuzua nga Serbia. Rregullorja e BQK-së hyri në fuqi më 1 shkurt të këtij viti dhe njeh vetëm euron si valutë zyrtare.

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, duke e përjashtuar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit hyri në fuqi më 1 shkurt pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj. Autoritetet e Beogradit thanë se zbatimi i rregullores po kërcënon mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikuan ashpër për këtë çështje qeverinë e Kosovës duke vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në./ZËRI

Poll

MOS HUMB