
GJERMANI- Fluturimet nga aeroporti i Hamburgut janë pezulluar, për shkak të rastit të një pengmarrje që po ndodh në këtë zonë. Sipas BBC bëhet fjalë për një shtetas turk, i cili pas një mosmarrëveshje për kujdestarinë e fëmijës me bashkëshorten e tij në proces ndarje, ka marrë peng vajzën, në përpjekje për t’u larguar bashkë me të drejt Turqisë. Burri, i cili ka qenë i armatosur, ka thyer barrierat e sigurisë me makinën e tij, dhe është futur në zonën ku qëndrojnë avionët.
Policia ka thënë se dyshohet se janë të paktën dy persona në mjet, përfshirë një fëmijë. 35-vjeçari kishte synuan që bashkë me vajzën të hynte në një avion të “Turkish Airlines”, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak të alarmit që kanë dhënë autoritetet dhe ndërprerjes së fluturimeve.
Policia ka thënë se është në kontakt me personin që u fut në aeroport të shtunën rreth orës 20:00. Bashkëshortja e të dyshuarit ka raportuar për pengmarrjen e fëmijës.
“Mendohet se një betejë për kujdestari të fëmijës qëndron prapa këtij rasti”, thuhet në deklaratën e policisë.
Policia ka thënë se i dyshuari ka qëlluar dy herë në ajër dhe ka gjuajtur molotov. Psikologët dhe policët janë duke negociuar me të. Të gjitha fluturimet në aeroportin e Hamburgut janë anuluar. Situata e cila u raportua mbrëmjen e djeshme vijon që të jetë po e njëjtë edhe sot, për shkak se shtetasi turk nuk ka ndërmend që të dorëzohet. /Zëri.ai