Bota

Përplasja mes 'dhelprës kurde' dhe 'luleshtrydhes' që po ndez Suedinë

Sipas transmetuesit publik suedez SVT, konflikti filloi kur u sulmua një i afërm i Abdos. Menjëherë pas kësaj, më 6 shtator, u raportuan të shtëna me armë në një banesë në Stamboll, ku dyshohej se qëndronte Majid.

F.m
Përplasja mes 'dhelprës kurde' dhe 'luleshtrydhes'
Rawa Majid dhe Ismail Abdo

SUEDI- Vala më e fundit e dhunës së bandave në Suedi duket se është pjesë e një konflikti të brendshëm në bandën që njihet me emrin Foxtrot. 

Cilët janë personat e përfshirë dhe si u bënë ata disa nga njerëzit më famëkeq në Suedi?

I pari është ‘Dhelpra kurde’ (Kurdiska räven). Emri i tij i vërtetë është Rawa Majid. Ai është drejtues i Foxtrot, 37 vjeç dhe ka tre fëmijë.

Përplasja mes 'dhelprës kurde' dhe 'luleshtrydhes'
Rawa Majid

Majid lindi në Uppsala në 1986 dhe shiste akullore bashkë me nënën e tij kur ishte adoleshent. Shkeljen e parë ligjore e kreu kur ishte 19 vjeç. Ai u dënua me tetë vjet e gjysmë burg në vitin 2009 për kontrabandë kokaine në Suedi.

"Ai ishte anëtari i një grupi të rinjsh në Uppsala që morën një kthesë të gabuar shumë herët," tha avokati Tom Placht, i cili përfaqësonte Majid në këtë rast.

“Mund të flisje me disa prej tyre dhe madje t'i ndihmoni për t'i shtyrë në drejtimin e duhur, por kishte të tjerë me të cilët as nuk mund të flisje, dhe Majid ishte një prej tyre,"- vijon ai.

Ai u lirua nga burgu në pranverën e vitit 2015 dhe u dënua përsëri me burg në korrik të atij viti për bashkëpunim në një rrëmbim dhe në një sulm të rëndë. 

Në shkurt 2018, ai u lirua me kusht dhe u lejua të largohej nga Suedia në vitin 2019.

Një vit më vonë, në vitin 2020, policia evropiane arriti të godasë shërbimin e koduar të mesazheve Encrochat, të përdorur nga kriminelët e organizuar.

Një përdorues, Foxkurdish, i cili më vonë u identifikua si Majid, ishte me interes të veçantë për policinë për shkak të rolit të tij organizues në tregtinë e madhe të drogës, si dhe mesazheve e fotove ku shiheshin tufa me para dhe orë Rolex.

U bënë një sërë arrestimesh dhe u lëshua një urdhër ndërkombëtar për Majid, i cili arriti t'i shmangej kapjes dhe të qëndronte aktiv duke fituar nënshtetësinë turke, përmes blerjes së një prone në vend me vlerë rreth 4 milionë euro. Turqia, ashtu si Suedia, nuk i ekstradon qytetarët e saj.

Përplasja mes 'dhelprës kurde' dhe 'luleshtrydhes'
Ismail Abdo

Ismail Abdo është protagonisti i dytë i këtyre sulmeve. I njohur si ‘luleshtrydhja’ (Jordgubben) dhe Dr Phil, Abdo ishte krahu i djathtë i Majid, ndërsa sot, e ka armik të përjetshëm.

Abdo është 33 vjeç dhe ka qenë i dënuar më parë për posedim armësh dhe vepra të rënda droge, si dhe është dënuar me pesë vjet e gjysmë burg në vitin 2016.

Një urdhër-arresti ndërkombëtar për shkelje të rënda të drogës u lëshua për të vjeshtën e kaluar, pasi policia dyshon se ai ishte i përfshirë në kontrabandën e 100 kilogramëve amfetaminë në Suedi. Ai gjithashtu besohet të jetë në Turqi dhe është bërë shtetas turk.

Çfarë ndodhi mes Majidit dhe Abdos që ndezi këtë konflikt?

"Është një luftë që ne po e shohim tani," tha reporterja suedeze e krimit Katrin Krantz.

“Udhëheqësi i bandës Foxtrot, Rawa Majid, dhe ish-aleati i tij, Ismail Abdo, janë arrestuar shumë herë nga prokurorët suedezë për krime të rënda, por ata janë zhvendosur në Turqi dhe diçka i ka bërë të kthehen kundër njëri-tjetrit,”- vijoi ajo.

Sipas transmetuesit publik suedez SVT, konflikti filloi kur u sulmua një i afërm i Abdos. Menjëherë pas kësaj, më 6 shtator, u raportuan të shtëna me armë në një banesë në Stamboll, ku dyshohej se qëndronte Majid.

"Ne e dimë se ka pasur disa tentativa për sulme në Turqi, gjithçka duket se ka shpërthyer atje,"- tha Krantz.

Më 7 shtator, nëna e Abdos, rreth të 60-ave dhe pa precedentë penalë, u qëllua nga një dritare e hapur në shtëpinë e saj.

“Kur nëna e Ismail Abdo u vra në Uppsala, ndezi këtë spirale dhune që po luhet tani, ne po e shohim atë në qytete të tilla si Uppsala, por edhe Norrköping dhe Stokholm, është kudo ku njerëzit që janë të lidhur me këta dy persona,”- tha Krantz.

"Unë do të thoja se ky është fillimi i kësaj periudhe shumë të dhunshme që kemi parë."

Sipas policisë, rrjeti Foxtrot trafikon drogë në Suedi dhe përtej kufijve të saj.

Dërgesat e kokainës, amfetaminës dhe kanabisit që mbajnë simbolin e dhelprës janë sekuestruar nga policia. Anëtarët e lidhur, duke përfshirë disa reperë të njohur, mbajnë unaza ari me diamantë në formën e një dhelpre për të treguar besnikërinë ndaj Majid.

Rrjeti Bro, me qendër në Bro, në veri të Stokholmit, rrjeti Zero, me bazë në Jordbro, në jug të Stokholmit, dhe rrjeti i May, gjithashtu aktiv në Stokholmin jugor janë aleatët kryesorë të Majid.

Në anën tjetër janë armiqtë. Rrjeti Dalen, i cili është aktiv në Enskededalen, në jug të Stokholmit dhe rrjeti Bandidos janë dy grupe që rivalizojnë Majid.

“Konflikti me Dalen ishte pas asaj që ne e quajmë vala e parë e dhunës që pamë ndoshta nga janari dhe deri në verë, dhe pamë gjithashtu disa sulme ndaj Bandidos që ne mendojmë se janë të lidhura,”- tha Krantz.

Poll

MOS HUMB