
KOSOVË-Dy persona janë plagosur me thikë në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë. Policia e ka bërë të ditur ngjarjen, duke thënë se të plagosurit po marrin ndihmë mjekësore. Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha se i dyshuari është identifikuar dhe është në kërkim. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen.
“Sot rreth orës 21 :20, kemi marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga një mjet i mprehtë janë lënduar dy persona. Të lënduarve u është ofruar trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti. Lidhur me rastin në fjalë është identifikuar një person i dyshuar i cili është në kërkim nga ana e policisë”, ka thënë Ahmeti./ZËRI