
KOSOVË- Një aksion policor është duke u zhvilluar në disa lokacione në veri të Kosovës. Aksioni i së shtunës lidhet me rastin e Banjskës, ku ra në krye të detyrës një oficer i policisë kosovare dhe u vranë tre terroristë të grupit të armatosur të serbëve.
Nacionale ka kontaktuar me Veton Elshanin, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, i cili ka konfirmuar se policia është duke e zhvilluar një aksion policor. Sipas Elshanit, deri tani nuk ka të arrestuar, ndërsa bastisjet janë duke u kryer në kuadër të hetimeve të sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
“Po është duke u zhvilluar një aksion policor në lidhje me sulmin e Banjskës. Deri tani nuk ka të arrestuar. Aksioni vazhdon” – deklaroi Elshani.
Çka ndodhi në Banjskë?
Kujtojmë që më 24 shtatort, në fshatin Banjskë të Zveçanit ndodhi një sulm terrorist nga një grup i armatosur i serbëve, që udhëhiqej nga Milan Radojiçiqi, ish-nënkryetar i Listës Serbe, që dyshohet edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe i sanksionuar nga ShBA-ja e Britania e Madhe për përfshirje në krim të organizuar.
Një polic i Kosovës, Afrim Bunjaku, tashmë i shpallur hero i Kosovës, e humbi jetën dhe një tjetër oficer policie mbeti i plagosur, ndërsa tre terroristë mbetën të vrarë në Banjskë. Në një letër publike, Radojiçiqi e kishte pranuar se e udhëhoqi grupin që kreu sulmin terrorist në veri të Kosovës.
"Po i njoftoj të gjithë të përndjekësit kujdestar të popullit serb, që nga Kurti e deri te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit. Ky akt i imi nuk ka pasur asnjë karakter tjetër, asnjë qëllim dhe nuk ka të bëjë fare me përfshirjen time të mëparshme politike." – shkruhej në letër.