
SUHAREKË – Policia e Kosovës ka vrarë një nga grabitësit e argjendarisë në Suharekë, ngjarje e ndodhur disa ditë më parë. Grabitësi Dukagjin Gashi ka mbetur i vdekur, pas shkëmbimit të zjarrit mes grupit të grabitësve dhe efektivëve. Mediat e Kosovës kanë publikuar edhe foton e Gashit. Insajderi raporton se vëllai i tij Korab Gashi ka arritur të ikë nga vendngjarja dhe u shpall në kërkim. Dukagjini dhe Kreshniku janë djemtë e ish-ushtarit të UÇK-së, Zeqir Gashi.

Nga përleshja me armë zjarri, është plagosur ditën e sotme edhe një polic. Nga ky aksion i Policisë së Kosovës, ka rënë në pranga edhe një grabitës tjetër i argjendarisë.
Policia: 1 grabitës u vra dhe 7 u arrestuan
Policia e Kosovës, pas aksionit të sotëm, të zhvilluar në disa zona të vendit, ka dalë në një deklaratë për mediat, duke sqaruar çdo gjë që ka ndodhur në lidhje me grupin e grabitësve dhe bilancin përfundimtar. Efektivët e Kosovës deklaruan se 1 grabitës u vra dhe 7 janë arrestuar.
“Si rezultat i hetimeve të pandërprera fillimisht ishin arrestuar tre persona të dyshuar për ndihmë në kryerje të veprës penale të grabitjes, përderisa hetimet drejt identifikimit dhe ndriçimit të rastit kanë vazhduar deri më sot, kur edhe është realizuar operacioni policor. Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor.
Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar. Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor. Vlen të theksohet se personat e dyshuar kanë të kaluar kriminale me dyshimet e bazuara për përfshirje në vepra penale si: vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje etj”, njoftoi Policia e Kosovës.

Një prej të arrestuarve u lirua në mëngjes, për shkak të mungesave të provave. Dy të tjerëve iu është caktuar masa e paraburgimit, pasi dyshohet se kanë ndihmuar grupin e armatosur. Policia ka kryer sot operacionin e saj në disa vendbanime në Kosovë, si në Prishtinë, Fushë-Kosovë dhe në Carralevë.

Sveçla: Akte të tilla janë të papranueshme
Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Zveçla, gjatë një deklarate për mediat, duke folur për ngjarjen e rëndë, tha se akte të tilla janë të papranueshme. Ai shtoi se në Kosovë duhet të mbizotërojë ligji e rendi.
“Një javë më parë vendi ynë u terrorizua nga një plaçkitje e armatosur nga persona të maskuar në qendër të qytetit të Suharekës, ku një zyrtar policor mbeti i plagosur dhe një i lënduar. Akte të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe përgjigjja e vetme ndaj kriminelëve të tillë është sjellja para drejtësisë. Për këtë, Policisë së Kosovës i kam ofruar mbështetjen time të plotë institucionale si dhe kam kërkuar angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti.
Sot jam njoftuar që Policia e Kosovës pas një pune intenzive hetimore ka lokalizuar plaçkitësit dhe ka realizuar operacionin e arrestimit të tyre. Njëri nga të dyshuarit ka shtënë drejt zyrtarëve duke plagosur një zyrtar policor dhe me këtë rast i njejti është neutralizuar. Deri më tash janë arrestuar shtatë persona ndërsa Policia është në kërkim të personit tjetër të përfshirë në këtë rast. Dy zyrtarëve policor të cilët janë plagosur dhe zyrtarit të lënduar në reagim dhe arrestim të të dyshuarve të këtij rasti ju uroj shërim të shpejtë.
Vendi i kriminelëve është burgu, dhe ky është mesazh i qartë dhe i prerë që duhet të marrë kushdo që tenton që për çfarëdo arsye të destabilizojë sigurinë në vendin tonë. Krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar sepse Republikën e Kosovës nuk do ta lejojmë të bëhet vend i pasigurisë. Rendi dhe ligji do të mbizotërojnë në çdo cep të saj”,- u shpreh Sveçla.

Drejtori i Policisë së Kosovës viziton 3 policët e plagosur
Drejtori i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha ka vizituar sot 3 efektivë të policisë dhe familjarët e tyre, që u plagosën gjatë shkëmbimit të zjarrit me një grup grabitësish, që u përpoqën të vjedhin një argjendari në Suharekë. Dy nga policët janë plagosur më 22 nëntor, ndërsa njëri u plagos gjatë ditës së sotme. Blutë e Kosovës janë përgjigjur me zjarr proporcional ndaj grabitësve të dyshuar.
Kush janë të arrestuarit për grabitjen e argjendarisë

Gazeta Sinjali e Prishtinës ka bërë të ditur emrat e grabitësve të arrestuar. I vrarë është Dukagjin Gashi. Ai qëlloi në drejtim të policisë dhe më pas mbeti i vrarë. Kreshnik Gashi, vëllai i Dukagjinit, u arratis. Të arrestuar dhe ndaluar në 24 orë janë shtetasit e Kosovës Bujar Basha, Leotrim Cakolli, Besart Istrefi dhe Trim Baraku (pronar i argjendarisë ‘Baraku’ në Prishtinë).
Një javë më parë, një grup grabitësish hynë në një argjendari në Suharekë dhe morën afër 250 mijë euro ar nga argjendaria.
Ata shkëmbyen zjarr me policinë.Deri tani, 7 grabitës janë arrestuar dhe njëri është vrarë. Ndërsa nga ana e policisë, dy efektivë janë plagosur. Dyshohet se grupi përbëhej nga ish-të burgosur me të shkuar kriminale. Përpos se me vepra penale të rënda mbi shpinë, grupi dyshohet se ka marrë pjesë dhe në luftëra jashtë territorit të Kosovës. /Zëri.ai/