
BEOGRAD- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e la të hapur mundësinë e përsëritjes së zgjedhjeve në Beograd. Por shtoi se vendimi përfundimtar do të merret brenda disa ditësh. Në emisionin e Jovana Jeremiç, Vuçiç foli edhe për rezultatin e zgjedhjeve, përfshirë edhe deklaratat e kryetarit dhe nënkryetarit të Partisë Liri dhe Drejtësi, Dragan Gjilas dhe Marinika Tepiç.
"Në zgjedhjet e përsëritura në Beograd, ata nuk do të merrnin më shumë vota. Ja, po ju them tani. Jetoni dhe shikoni, pasi ka mundësi që t'i kemi zgjedhjet sërish shumë shpejt. Askush nuk i kushton më vëmendje. Njerëzit nuk do t'i votojnë. Njerëzit votojnë që dikush të marrë përgjegjësi, të marrë pushtetin nëse mundet ose të punojë me përgjegjësi në opozitë, të punojë për popullin dhe jo për veten e tij, për të mos pritur momentin për partinë e tyre. Nëse ata vendosin të shkojnë në zgjedhje, ne do të shkojmë në zgjedhje...,"-tha ai.
I pyetur se cili është afati për vendimin përfundimtar për përsëritjen e zgjedhjeve, Vuçiç tha: Nuk e di, afati po na mbaron. Po presim kundërshtimet nëse do të na adresohen apo jo.
Partitë opozitare që kontestojnë rregullsinë e zgjedhjeve në Serbi, por së fundmi i kanë pezulluar protestat e përditshme dhe kanë paralajmëruar vetëm tubime të herëpashershme më të mëdha - pas Krishtlindjeve ortodokse. Në Serbi janë mbajtur një varg protestash pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, të nxitura nga akuzat për vjedhje elektorale nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, e cila shpalli fitoren në të gjitha nivelet. Koalicioni më i madh opozitar "Serbia kundër dhunës" e akuzoi SNS-në për vjedhje zgjedhore dhe kërkon përsëritjen e zgjedhjeve. Dyshime për parregullsinë e zgjedhjeve shprehu edhe Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), gjithashtu, një pjesë e eurodeputetëve kërkuan një hetim të pavarur të të gjitha parregullsive të raportuara gjatë zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor./ZËRI