
SHBA- Forcat e armatosura amerikane “ndaluan nazizmin dhe komunizmin” dhe “të këqija të tjera, si spastrimi etnik serb”.
“Ato ndihmuan në lindjen e demokracive - nga Gjermania në Irak”.
Këto deklarata i bëri Marco Rubio, senator i Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara, gjatë një fjalimi për rolin e Amerikës në botë, në vitin 2011. Trembëdhjetë vjet më vonë, emri i tij përflitet për pozitën e sekretarit amerikan të Shtetit. Disa media amerikane raportuan se Rubio është në bisedime me ekipin e tranzicionit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për pozitën e lartë. Aktualisht, ai shërben si nënkryetar i Komitetit të Senatit për Inteligjencë dhe është anëtar i Komitetit për Marrëdhënieve me Jashtë.
Si përfaqësues nga Florida në Senat, 53-vjeçari u zgjodh për herë të parë në vitin 2010. Përgjatë karrierës, rajonin e Ballkanit e kishte disa herë në fokus. Në vitin 2022, ai iu bashkua një grupi senatorësh, i cili i dërgoi letër presidentit amerikan, Joe Biden, për ta inkurajuar që ta mbajë Ballkanin në vëmendjen e tij.
“Ballkani është një zonë e cenueshme e Evropës dhe, megjithëse Ukraina duhet ta ketë vëmendjen tonë të menjëhershme, ne nuk mund ta humbasim nga sytë këtë rajon, ku NATO-ja, prej kohësh, ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes,”- u tha në atë letër.
Aty po ashtu theksohej se Rusia, për kohë të gjatë, ka luajtur rol destabilizues në Ballkan, për t’i penguar vendet që aspirojnë NATO-n të anëtarësohen në këtë aleancë.
“Në veçanti, ne i bëjmë thirrje NATO-s që ta rrisë angazhimin e saj në rajon dhe t’i marrë parasysh masat emergjente, në rast se Rusia vë veto ndaj rinovimit të misionit të Forcave të Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më vonë këtë vit,”- u tha në atë letër.
Në vitin 2021, Rubio mirëpriti lajmin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës.
“Ky është një hap i rëndësishëm për të dyja vendet, si dhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, shkroi Rubio në X.
Vitin e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osamni, gjatë një vizite në Uashington, u prit nga një grup senatorësh dhe kongresistësh amerikanë, në mesin e të cilëve ishte edhe Rubio. Në atë takim, Osmani vlerësoi “kontributin e jashtëzakonshëm që Kongresi ka dhënë në forcimin e pozitës ndërkombëtare” të Kosovës. Në vitin 2018, me Rubion u takua edhe presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Folëm për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për mundësitë euroatlantike të Kosovës dhe për shfrytëzimin e momentumit për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB”, tha atë kohë Thaçi.
Rubio njihet për qasje të ashpër në politikën e jashtme, sidomos ndaj Kinës dhe Iranit. Ndërsa shprehu vazhdimisht mbështetje për Ukrainën, në një rast më herët tha se konflikti i vazhdueshëm midis Rusisë dhe Ukrainës duhet “të arrijë në një përfundim”. Rubio ishte në mesin e disa senatorëve që votuan kundër ndihmës ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, e cila kaloi në muajin prill.
“Ajo që ne po financojmë, është një ngërç që duhet të marrë fund”, tha Rubio për televizionin NBC News, pas zgjedhjes së Trumpit, javën e kaluar.
Në një intervistë për rrjetin televiziv, CNN, po atë javë, Rubio tha se “bota po ndryshon me shpejtësi”.
“Kundërshtarët po bashkohen - Koreja e Veriut, Irani, Kina, Rusia po koordinohen gjithnjë e më shumë. Do të na duhet të jemi shumë pragmatikë dhe të zgjuar, në atë sesi investojmë jashtë shtetit dhe çfarë bëjmë,”- tha Rubio. Ai, po ashtu, shprehu vazhdimisht mbështetje për luftën e Izraelit në Gazë. Në fund të vitit të kaluar, kur u pyet nga një aktiviste e paqes se çfarë mendon për vrasjen e civilëve palestinezë, Rubio tha se Hamasi - grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera - “është 100 për qind fajtor”.
“Hamasi duhet të ndalojë të fshihet pas civilëve. Hamasi duhet të ndalojë ngritjen e instalimeve ushtarake poshtë spitaleve,”- tha Rubio.
Marrëdhëniet mes Rubios dhe Trumpit nuk ishin gjithmonë në harmoni. Të dy garuan për president në vitin 2016 dhe zhvilluan një rivalitet të ashpër. Ata u përplasën për një sërë çështjesh - sidomos për imigracionin - dhe mosmarrëveshjet i çuan edhe në fyerje të ndryshme.
Trump iu referua shpesh senatorit si “Marco i vogël”, ndërsa Rubio tallej me, siç thoshte, “duart e vogla” të Trumpit. Por, pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale në vitin 2016, Rubio nisi t’i rregullonte gjërat me të, duke shërbyer si këshilltar joformal i politikës së jashtme dhe duke e ndihmuar atë në përgatitjen e debatit të tij të parë me Bidenin në vitin 2020. Ai shprehu mbështetje për Trumpin edhe në zgjedhjet e atij vitit, edhe në të fundit, që u mbajtën më 5 nëntor. Si djalë i imigrantëve kubanezë, Rubio është i martuar dhe ka katër fëmijë.
“Nëse konfirmohet nga Senati si kryediplomat amerikan, Rubio do të bëhej fytyra e politikës së jashtme të Trumpit, duke përshkuar globin me një aeroplan qeveritar, për të artikuluar doktrinën e presidentit të zgjedhur ‘Amerika e para’”, shkroi gazeta Washington Post./REL