
BRUKSEL- NATO si duket ka marrë hapin e radhës pas deklaratës se presidentit të Ukrainës, Volodymir Zelensky se zotëron prova qe Rusia po kërkon të hapë një vatër të re konflikti në Ballkanin Perëndimor. Sipas një njoftimi për shtyp të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut, Jens Stoltenberg, do të nisë turneun e tij në rajon dhe do të zhvillojë takime me të gjithë liderët e Ballkanit.
Stoltenberg do të nisë turneun e tij në rajon me një darkë pune me anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës. Ai të hënën do të takohet me Përfaqësuesin e Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, si dhe me kryetaren e Këshillit të Ministrave të vendit, Borjana Krišto. Stoltenberg do të vizitojë edhe selinë e NATO-s në Sarajevë, ku do të takohet me udhëheqës ushtarakë dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.
Në të njëjtën ditë, pasditen e së hënës, do të jetë në Kosovë ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Edhe në Kosovë do të takohet me drejtuesit ushtarakë të KFOR dhe NATO-s atje, ku do të përcjellë edhe një mesazh të tijin. Të martën e 21 nëntorit, Jens Stoltenberg do jetë fillimisht në Serbi ku e pret në bisedime presidenti Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrja Ana Bërnabiç. Një vizitë është parashikuar me shkencëtarë serbë ku do të prezantohet edhe teknologjia me e re e zhvilluar nga NATO në funksion të paqes dhe sigurisë.
Në Maqedoninë e Veriu pas bisedimeve me presidentin Stevo Pendarovski dhe kreun e qeverisë Dimitar Kovaçevski, kreu i Aleancës së Atlantikut do të mbajë një fjalim në parlamentin e Maqedonisë pasi më herët do të zhvillojë një takim me kryeparlamentarin, shqiptarin Talat Xhaferi. Stoltenberg dhe Kovachevski të mërkurën do të takohen në Shkup me liderët e vendeve të NATO-s nga rajoni – kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç dhe kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob.