
KYIV- Susana Jamaladinova, një ukrainase me origjinë tatare nga Krimea, e njohur ndryshe edhe si Jamala, tani është në listën e të kërkuarve të Rusisë. Lajmin e njoftuan RIA dhe TASS. Ministria e Punëve të Brendshme akuzon fituesen 40-vjeçare të Eurovizionit për diskreditim të ushtrisë së Moskës dhe përhapjen e lajmeve të rreme.
Jamala, një kritike e zëshme e pushtimit nga Rusia të gadishullit të Krimesë dhe pushtimit të Ukrainës, fitoi Konkursin e Këngës në Eurovizion në 2016 me këngën "1944", e cila ka të bëjë me dëbimin dhe spastrimin etnik të rreth 200,000 tatarëve të Krimesë të kryera nga autoritetet sovjetike.
Jamala, e cila aktualisht është në një turne për rritjen e fondeve dhe ndërgjegjësimit në Australi lidhur me atë që po ndodh mes Ukrainës dhe Rusisë, reagoi ndaj lajmit duke postuar një foto të saj në Instagram jashtë Operës së Sidneit, me një emoji tallës.

Këngëtarja ukrainase është me origjinë tatare të Krimesë dhe ajo ka qenë një avokate e popullit tatar që është vendas në Gadishullin e Krimesë, por që u deportuan në një numër të madh kur rajoni ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014 pasi një kryengritje popullore rrëzoi një president të prirur nga Rusia në kryeqytetin ukrainas, Kiev. Ukraina ka përdorur trashëgiminë tartare të Krimesë për të kundërbalancuar dominimin kulturor rus në rajon, i cili u bë pjesë e perandorisë ruse pasi u pushtua në shekullin e 18-të. Në vitin 1954, gadishulli u transferua nga autoriteti rus në ukrainas brenda Bashkimit Sovjetik./Zëri.ai