Bota

Sa larg do të shkonte SHBA për të mbrojtur Izraelin?

SHBA-të janë shprehur se mbështesin në këtë luftë, aleatin e tyre tradicional, Izraelin. Por, a do të ndërhynte SHBA në luftë, nëse situata përshkallëzohet? Përgjigjen ekspertët.

D.XH
Sa larg do të shkonte SHBA për të mbrojtur Izraelin?
SHBA-Izrael

UASHINGTON - SHBA ka premtuar mbështetjen e saj të palëkundur për Izraelin dhe e ka mbështetur atë me ndihmë ushtarake. Por, me bombardimet izraelite dhe të tjera ngjarje që kanë pasuar pas sulmit të Hamasit, shtrohet pyetja: Deri në cilën pikë do shkonte SHBA, duke mbrojtur Izraelin?

Në reagimin e tij të parë ndaj sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, Presidenti Biden bëri të qartë se SHBA mbështet Izraelin. "Shtetet e Bashkuara mbështesin Izraelin. Për këdo që mendon të përfitojë nga situata, kam një fjalë: Mos e bëni”, tha Biden. Ky paralajmërim ishte qartazi për Iranin dhe vendet aleate të Teheranit.

Trupat amerikane në Irak dhe Siri janë sulmuar disa herë ditët e fundit. SHBA shprehet se ekziston rreziku, që edhe Jemeni të përfshihet në konflikt, duke qenë kundërshtar i Izraelit. Shtetet e Bashkuara tashmë kanë një grup në Lindjen e Mesme dhe do shtojnë trupat në këtë territor. Uashingtoni ka një fuqi të konsiderueshme ushtarake në Lindjen e Mesme.

SHBA është mbështetësi më i madh ushtarak i Izraelit, duke ofruar rreth 3.8 miliardë dollarë ndihmë mbrojtëse në vit. Avionët izraelitë që bombardojnë Gazën janë të prodhimit amerikan, ashtu si shumica e municioneve që kanë precision të lartë dhe që po përdoren edhe tani. Disa nga raketat interceptuese për sistemin e mbrojtjes ajrore të Iron Dome të Izraelit prodhohen gjithashtu në Amerikë.

SHBA po dërgonte furnizime të reja me këto lloj armësh, edhe përpara se Izraeli t'i kërkonte ato. Të premten, presidenti Biden i kërkoi Kongresit të miratojë 14 miliardë dollarë financim për krahun e luftës të Izraelit në Lindjen e Mesme, si pjesë e një pakete ndihme ushtarake prej 105 miliardë dollarësh (87 miliardë paund). Një ditë më pas, Pentagoni njoftoi se do të dërgonte dy nga sistemet e tij më të fuqishme të mbrojtjes raketore në Lindjen e Mesme.

Por a do të ishte vërtet i gatshëm një president amerikan të përfshihej në një luftë tjetër, veçanërisht në një vit zgjedhor? Operacionet e fundit ushtarake amerikane në rajon kanë rezultuar të kushtueshme, politikisht, ekonomikisht dhe për sa i përket shtetasve amerikanë, që kanë humbur jetën në zonat e luftës.

Michael Oren, një ish-ambasador izraelit i SHBA-së, beson se Presidenti Biden ka bërë tashmë një hap të parë, duke dërguar aeroplanmbajtëset amerikane në rajon. Por Seth G Jones, drejtor i Sigurisë Ndërkombëtare në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, thotë se SHBA-ja do të hezitonte shumë të angazhohej drejtpërdrejt ushtarakisht në një luftë në Gaza.

SHBA dhe Izraeli po shqetësohen më së shumti për sulmet e Hezbollahut. Grupi i mbështetur nga Irani është një kërcënim shumë më i madh se Hamasi në Gaza. Ai ka një arsenal prej rreth 150 000 raketash, të cilat janë më të fuqishme dhe më të sakta se ato të përdorura nga Hamasi. Dhe tashmë ky grupim ka shkëmbyer zjarr me Izraelin, armikun e tij të betuar.

Oren mendon se Hezbollahu mund të ndërhyjë, kur Izraeli të gjendet në operacionin e tij në Gaza dhe kur të jetë lodhur nga pushtimi.

Nëse kjo ndodh, atëherë Oren beson se ekziston mundësia që SHBA-ja të angazhojë fuqinë e saj të konsiderueshme ajrore për të goditur objektivat brenda Libanit, megjithëse ai nuk sheh një situatë në të cilën Amerika do të përdorte ushtrinë në terren.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin kanë pohuar të dy se SHBA-të do të përgjigjen nëse situata përshkallëzohet dhe sulmohet personeli amerikan. “Shtetet e Bashkuara kanë të drejtë të mbrojnë veten e tyre”, tha Austin të dielën. Shumë ekspertë besojnë se sidoqoftë, nëse Hezbollahu hyn në konflikt, SHBA-të do të gjente mënyra për një kundër sulm të fuqishëm.

As Izraeli nuk kërkon mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake në luftën e tij me Hamasin. Danny Orbach, profesor i historisë ushtarake në Universitetin Hebraik të Jerusalemit, thekson se doktrina ushtarake e Izraelit e parathotë se Tel Avivi duhet të jetë në gjendje të mbrohet vetë.

Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më shumë se 6400 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e përgjakshme, të të dyja palëve./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB