
SHKUP - Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se BE-ja duhet të japë rezultate të prekshme në fushën e zgjerimit ose përndryshe rrezikohen konflikte etnike në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Në një intervistë për gazetën Politiko të Brukselit, Osmani tha sot se anëtarësimi në BE është nevojë imediate dhe paralajmëroi për pasojat, nëse dështon zgjerimi.
“Maqedonia e Veriut është multietnike, multikulturore. Ne jemi një vend që përfaqësojmë më së miri atë që kërkon BE-ja. Të gjitha grupet, sociale, kulturore, fetare, etnike në Maqedoninë e Veriut ndajnë të njëjtin ideal: BE-në”, tha Osmani.
Osmani, një shtetas maqedonas që i përket grupit etnik shqiptar, vuri në dukje pasojat e mundshme shkatërruese nëse dështon përpjekja për zgjerimin e BE. Ndërkohë, diplomatët paralajmërojnë se, pas fitores së liderit të ekstremit të djathtë Geert Ëilders në zgjedhjet në Holandë dhe kërcënimit të kryeministrit hungarez Viktor Orbán për të bllokuar negociatat e anëtarësimit të Ukrainës, ekziston rreziku që të ndalet zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Europian.
"Nëse dështojmë, mendoj se do të jetë fillimi i një efekti domino në të gjithë rajonin. Dhe mesazhi do të jetë se demokracitë multi-etnike nuk mund të funksionojnë në Ballkanin Perëndimor. Prandaj duhet të bëjmë përpjekje të vazhdueshme”, tha ministri Osmani. Bujar Osmani bëri thirrje për përafrim të vendeve të Ballkanit Perëndimor me ato të BE-së, sidomos në politika. “Ne duhet të nisim të integrohemi në union e të ndihemi se jemi pjesë e saj, edhe pa qenë si shtet pjesë e BE-së”, tha Osmani. “Politiko” shkruan më tej se problemi kryesor me të cilin ballafaqohet Ballkani Perëndimor është se nëse vendet e rajonit hyjnë në BE, do të kishin edhe gjashtë vende të tjera me të drejtën e vetos në mbledhjet e Këshillit.
Portali i Brukselit kujton se ministrat e BE-së të Francës, Gjermanisë dhe Portugalisë ishin të parët që paraqitën idenë sipas së cilës vendet anëtare përfitojnë nga liritë dhe disa fonde të BE-së, ndërsa afrohen me Bashkimin Europian. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut tha se anëtarësimi i pjesshëm në BE do t'i mundësonte vendit të fillonte të ‘korrte’ përfitimet e reformave dhe do ta bënte atë më rezistent ndaj propagandës ruse dhe kineze.‘Hapi i parë në integrimin gradual do të ishte statusi i vëzhguesit në takimet e BE-së’, tha Osmani.
"Për shembull, Maqedonia e Veriut është harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Atëherë pse nuk më ftuan në Këshillin për Punë të Jashtme? Nuk është logjike", shtoi Osmani. Hapi i dytë, sipas tij, nënkupton qasjen në tregun e përbashkët të BE-së para anëtarësimit, pasi Shkupi i plotëson kriteret, dhe e treta ka të bëjë me qasjen në marrjen e kushteve për fondet strukturore dhe kohezive, edhe para anëtarësimit.
Osmani tha se si kandidate për në BE, Maqedonia e Veriut merr 160 euro mbështetje direkte të BE-së për banor, ndërsa anëtarja e BE-së Bullgaria 4700. Ai gjithashtu vuri në dukje se hendeku po rritet, në vend që të zvogëlohet, ndërsa negociatat zvarriten. Në Maqedoninë e Veriut po mbahet Samiti i OSBE-së, ku do të marrin pjesë rreth 1 mijë delegatë nga 57 vende anëtare dhe partnere. /Zëri.ai/