
PARIS-MADRID- LISBON- Europol në bashkëpunim me autoritetet franceze, portugeze dhe spanjolle kanë arrestuar 62 anëtarë të grupeve të shumta kriminale që janë të përfshirë në peshkimin e paligjshëm të molusqeve të kontaminuara në Portugali dhe Spanjë. Operacioni nisi 17 ditë më parë dhe u sekuestruan 30 tonë molusqe dhe 6 ton ngjala me vlerë deri në 10 milionë euro në tregun e prodhimeve të detit. Gjashtë nga të dyshuarit konsiderohen si personat drejtues.
Molusqet përhapin hepatitin
Bandat kriminale peshkonin kryesisht molusqet japoneze, të cilat shijohen nga vendasit dhe turistët në zonat bregdetare, përfshirë edhe gjatë sezonit festiv. Bandat falsifikuan dokumentacionin e kontaminuar të prodhimeve të detit për ta paraqitur si të përshtatshëm për konsum njerëzor. Kjo mund të ishte shndërruar në një çështje të madhe shëndetësore, pasi konsumimi i vazhdueshëm i molusqeve të kontaminuara i vë njerëzit në rrezik të sëmundjeve të rënda si hepatiti.
Hetimi çoi në zbulimin e grupeve të organizuara kriminale të përfshira në trafikun e molusqeve ose të ngjalave, në varësi të stinës së vitit, në Francë, Portugali dhe Spanjë. Kjo çoi në çmontimin e një rrjeti të madh kriminal të përfshirë në gjuetinë e paligjshme, grumbullimin dhe kontrabandën e ngjalave.
Rrjetet kriminale që veprojnë ndërkombëtarisht
Një kilogram i këtyre molusqeve mund të shitet në tregun e prodhimeve të detit deri në 25 euro. Rrjetet kriminale shfrytëzonin peshkatarët me origjinë nga vendet aziatike, duke i paguar vetëm 1 euro për kilogram molusqe që peshkonin. Peshkatarët peshkonin ilegalisht në Portugali, dhe i transportonin molusqet në Spanjë dhe në rrjetet kriminale.
Lidhja e parë mes trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit mjedisor u vërtetua në Bashkimin Evropian
Kontrasti midis çmimit të molusqeve në treg dhe fitimeve të peshkatarëve bëri që autoritetet të konfirmojnë për herë të parë lidhjen midis krimit mjedisor dhe trafikimit të qenieve njerëzore për shfrytëzim pune në Bashkimin Evropian.
Trendi kriminal i zbuluar nga Europoli
Ekspertët e Europolit nga Njësia për Krimet Mjedisore zbuluan prirjen kriminale dhe ofruan ekspertizën e tyre për shtetet anëtare të përfshira. Europol mbështeti takimet operacionale, koordinoi ditët e veprimit dhe u dha autoriteteve kombëtare mbështetje financiare. Gjatë ditëve të aksionit, ekspertët e Europolit u vendosën gjithashtu në terren në Portugali, Spanjë dhe Francë. /ZËRI