
BRUKSEL- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur nga Konferenca e Sigurisë në Mynih komentoi vdekjen e opozituarit rus Alexei Navalny. Ai tha se nuk dëshiron që të spekulojë për vdekjen, por i bëri thirrje Rusisë që të hetojë lidhur me ngjarjen.
"Ne duhet të vërtetojmë të gjitha faktet dhe Rusia duhet t'u përgjigjet të gjitha pyetjeve në lidhje me rrethanat e vdekjes së tij,"--tha Stoltenberg.
Gjithashtu një reagim erdhi edhe nga presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, i cili ndryshe nga Stoltenberg, thotë se BE-ja bën përgjegjëse Rusinë për vdekjen e tij.
"BE bën regjimin rus si përgjegjës të vetëm për këtë vdekje tragjike. Unë i shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes së tij dhe atyre që luftojnë për demokracinë në mbarë botën në kushtet më të errëta. Luftëtarët vdesin. Por lufta për liri nuk mbaron kurrë,"-shkruan Michel në "X".
Ndërsa pritet që në vazhgim të ketë edhe reagime të tjera.
Kritiku më i madh i regjimit të presidentit rus Vladimir Putin, Aleksei Navalny vdiq në koloninë penale numër 3, në rrethin e Yamalo-Netets. Ai u ndje keq pas një shëtitjeje, humbi ndjenjat dhe ra në tokë. Menjëherë kanë mbërritur mjekët dhe ambulanca, por tashmë ishte tepër vonë. Autoritetet ruse kanë thënë se po hetojnë shkaqet e vdekjes. Në lidhje me vdekjen e tij, kanë reaguar liderët e vendeve perëndimore dhe organizatave të rëndësishme globale. SHBA u shpreh e tronditur për lajmin, duke shtuar se pret që gjithçka të konfirmohet. Më 9 gusht 2023, një gjykatë në Moskë e shpalli fajtor politikanin opozitar Aleksei Navalnyn, duke e dënuar 19 vite burg, me akuza, që kanë të bëjnë me ekstremizmin, për shkak të Fondacionit të tij Kundër Korrupsionit. Përpara këtij akt-gjykimi, Navalny ishte duke vuajtur një dënim me 9 vite burgim. Ai dhe avokatët e tij kishin deklaruar se akuzat ndaj liderit opozitar të Kremlinit janë të motivuara politikisht./ZËRI