
SUEDI- Kryeministri suedez Ulf Kristerson i bëri thirrje kreut të forcave të armatosura për të ndihmuar në frenimin e rritjes së dhunës dhe vrasjeve nga bandat. Takimi vjen pas 12 orësh të përgjakshme, gjatë të cilave dy burra u qëlluan për vdekje në Stokholm dhe një grua 25-vjeçare u vra në një shpërthim në shtëpinë e saj në një qytet në veri të kryeqytetit suedez.
"Ne do t'u vihemi pas bandave dhe do t'i mposhtim ato,"- premtoi Christerson në një fjalim të rrallë televiziv.
Shefi i Forcave të Armatosura Michael Biden i tha gazetës suedeze "Dagens Nyheter" se ai ishte i gatshëm të mbështeste përpjekjet e Policisë. Nuk është e qartë se si mund të përfshihet ushtria, por bisedimet e mëparshme kanë sugjeruar që ushtarët mund të marrin detyra policore. Kritikët e nismës i kanë karakterizuar masat e propozuara si sipërfaqësore, duke argumentuar se ato trajtojnë simptomat dhe jo shkaqet themelore të dhunës.
Deri më tani këtë muaj, 12 persona janë vrarë në incidente të dhunshme të bandave. Kjo është numri më i madh i vrasjeve të regjistruara që nga dhjetori 2019. Mediat suedeze e kanë lidhur valën e fundit me përleshjet e brendshme në një bandë të njohur si Foxtrot, e cila ka nisur një luftë të brendshme duke u ndarë në dy "kampe" rivale.
Kristersson tha se Suedia nuk ka parë kurrë diçka të tillë më parë dhe se "asnjë vend tjetër në Evropë" nuk e ka kaluar një situatë të ngjashme. Ai theksoi se fëmijët dhe qytetarët e pafajshëm po bëhen gjithnjë e më shumë viktima të dhunës që po përhapet në të gjithë vendin.
Një raport zyrtar i qeverisë i publikuar në 2021 tha se katër për 1 milion banorë vdesin nga të shtënat çdo vit në Suedi – krahasuar me 1.6 njerëz për 1 milion në të gjithë Evropën. Policia e ka lidhur dhunën me integrimin e dobët të emigrantëve, zgjerimin e hendekut midis të pasurve dhe të varfërve dhe përdorimin e drogës./Zëri.ai