Bota

Siguria e fëmijëve, BE nis hetimin ndaj TikTok

Hetuesit do të verifikojnë, nëse në platformë mbrohen të miturit, mbahen regjistra për përmbajtjet reklamuese dhe nëse algoritmet e saj i drejtojnë përdoruesit në përmbajtje të dëmshme.

f.t
Siguria e fëmijëve, BE nis hetimin ndaj TikTok
foto ilustruese

BRUKSEL- Bashkimi Europian ka nisur një hetim formal ndaj platformës së videove të shkurtra, TikTok. Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, njoftoi se ka nisur procedime zyrtare ndaj platformës në pronësi të Kinës, për shkelje të mundshme të Ligjit të Shërbimeve Digjitale (DSA).

Siç u bë e ditur, hetuesit do të verifikojnë, nëse në platformë mbrohen të miturit, mbahen regjistra për përmbajtjet reklamuese dhe nëse algoritmet e saj i drejtojnë përdoruesit në përmbajtje të dëmshme.

“Si një platformë që mbërrin te miliona fëmijë dhe adoleshentë, TikTok-u duhet të pajtohet totalisht me rregullat e vendosura dhe të luajë një rol të rëndësishëm për mbrojtjen e të miturve në internet. Ne po nisim këtë procedim zyrtar për t’u siguruar që do të ndërmerren veprime propocionale në mbrojtjen e mirëqenies fizike dhe emocionale të të rinjve europianë. Nuk duhet të kursejmë asnjë përpjekje për të mbrojtur fëmijët tanë”, u shpreh Thierry Breton.

Ndërkohë zëdhënës për TikTok u shprehën se rrjeti social do të vijojë të punojë me ekspertë të industrisë, për t’u ofruar siguri të rinjve që përdorin platformën dhe se do t’i shpjegojë me kënaqësi çështjen Komisionit Europian.

“TikTok ka krijuar funksione për të mbrojtur adoleshentët dhe për të mbajtur jashtë rrjetit social fëmijët nën 13 vjeç. Kjo është një çështje me të cilat po përballet e gjithë industria”, tha një zëdhënës i kompanisë.

Për hetimin nuk është caktuar asnjë afat dhe rezultati do të varet nga faktorë të ndryshëm, përfshirë edhe kompleksitetin e çështjes./ZËRI

Poll

MOS HUMB