UELLINGTON- Një organizatë bamirësie në Zelandën e Re shpërndante karamele me shije ananasi që përmbanin sasi potencialisht vdekjeprurëse të metamfetaminës.
“Karamele që përmbanin sasi potencialisht vdekjeprurëse të metamfetaminës janë gjetur në disa pako ushqimore të shpërndara nga një organizatë bamirësie në Zelandën e Re. Rasti është duke u hetuar”, tha policia.
Fondacioni i Mjekësisë i Zelandës së Re tha se një mostër që testoi përmbante rreth 3 gram metamfetaminë, ndërsa doza që mund të përdoret është 10-15 miligramë. Testimet nisën pasi një qytetar raportoi se po ndjehej në mënyrë të çuditshme pasi konsumonte karamelet dhe ato kishin një shije të hidhur.
Sarah Helm, një zëdhënëse e agjencisë, këmbënguli se doza në karamele është 300 herë më shumë se ajo që zakonisht marrin përdoruesit.
Sipas autoriteteve, sasia e metamfetaminës që përmbanin karamelet shkon në vlerën 468 paundë.
"Gëlltitja e një doze kaq të madhe të metamfetaminës është jashtëzakonisht e rrezikshme, mund të çojë në vdekje", paralajmëroi Helm, duke u kërkuar atyre që morën pako ushqimore që përmbajnë karamele nga fondacioni të mos i konsumojnë. Karamelet janë dhuruar në mënyrë anonime, dhe janë mbështjellë me letrën e një marke të njohur.
Stimuluesi metamfetamin mund të shkaktojë simptoma të tilla si dhimbje gjoksi, takikardi, delirium, humbje të vetëdijes, konvulsione, etj./ZËRI