
TOKIO- Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, lajmëroi se do të japë dorëheqjen nga posti në shtator, pas pakënaqësisë së qytetarëve në lidhje me skandalet politike që është përfshirë dhe rritjen e kostos së jetesës.
“Politika nuk mund të funksionojë pa besimin e qytetarëve. E mora këtë vendim të vështirë duke menduar për ta dhe me vullnetin se reformatr politike do të përmirësohen në të ardhmen,”- tha Kishida në një konferencë për media, ku njoftoi vendimin për të mos garuar për t’u rizgjedhur në krye të Partisë Liberale Demokratike (LDP).
LDP-ja do të mbajë zgjedhje për lider të ri në shtator. Vlerësimi publik për Kishidan filloi të bjerë furishëm pak pasi ai e mori detyrën më 2021, pasi u zbuluan lidhjet e LDP-së me Kishën kontroverse të Unifikimit. Dhjetorin e kaluar, katër ministra të kabinetit të LDP-së dhanë dorëheqjen brenda dy javësh pasi u përfshinë në një skandal për mbledhje fondesh.
Prokurorët japonezë nisën një hetim penal nëse dhjetëra ligjvënës të LDP-së morën të ardhura nga fonde.
Por mënyra se si Kishida trajtoi skandalin e mbledhjes së fondeve tërhoqi kritika publike, e bëri atë më të papëlqyeshëm. Polemika u rrit më shumë pasi familjet japoneze luftuan me çmimet e ushqimeve që rriteshin me ritmin më të shpejtë në pothuajse gjysmë shekulli.
Kombinimi i vështirësive ekonomike dhe skandalit politik ushqeu mosbesim në partinë në pushtet, pavarësisht opozitës së dobët dhe të përçarë.
“Kryeministri nga LDP-ja nuk mund të garojë për të qenë në krye të partisë, nëse nuk e ka të sigurt fitoren. Si në sportin e sumos. Nuk mund të fitosh dosido, duhet të fitosh me elegancë,”- tha Koichi Nakano, profesor i shkencave politike në Universitetin Sophia.
Kushdo që e pason Kishidan si lider të LDP-së duhet ta rikthejë besimin e publikut në parti dhe ta luftojë rritjen e kostos së jetesës dhe tensionet e përshkallëzuara gjeopolitike me Kinën. Kishida vjen nga një familje politikanësh, babai dhe gjyshi i tij kanë qenë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë. Ai u bë anëtarë i Dhomës për herë të parë në vitin 1993. Më pas, ai u bë ministri i Jashtëm më jetëgjatë i Japonisë, kur e mbajti postin nga viti 2012 deri në vitin 2017. Ai u bë kryeministër në tetor 2021, duke e pasuar Yoshihide Sugan, i cili kishte dhënë dorëheqje pas vetëm një viti në detyrë. Kishida e udhëhoqi LDP-në drejt fitores në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021. Gjithashtu, ai e udhëhoqi Japoninë drejt daljes nga pandemia e COVID-19./ZËRI