
MALI I ZI- Mali i Zi miraton sot kryesinë e re të Kuvendit dhe Qeverisë së 44-të. Partitë e mazhorancës së ardhshme parlamentare i qëndrojnë planit fillestar për të zgjedhur sot kryesinë e parlamentit dhe qeverisë, pavarësisht pengesave të mundshme nga opozita dhe protestave të paralajmëruara.
Në krye të Kuvendit do të jetë lideri i Demokracisë së Re Serbe, Andrija Mandiç dhe në postin e kryeministrit së qeverisë Millojko Spajiç, shkruan Vijesti. Gjithashtu në seancë pritet të zgjidhen edhe nënkryetarët e Kuvendit njeri nga Lëvizja Evropa Tani, partia më e madhe politike në parlament, dhe nënkryetari i dytë do t’u takojë demokratëve.
Partitë shqiptare propozuan Niko Gjeljoshajn për nënkryetar të qeverisë për politikë ekonomike dhe ministër të zhvillimit ekonomik, ndërsa Fatmir Deka për ministër për të drejtat e njeriut dhe pakicave dhe Maras Dukaj për ministër të administratës publike.
Nga ana tjetër kryetari i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, ka njoftuar Kuvendin e Malit të Zi për dorëheqjen parevokueshme nga posti i deputetit.
“Jap dorëheqje nga posti i deputetit për arsye politike dhe etike”, njoftoi Nimanbegu.