
BEOGRAD- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të dalë sërish sot në orën 21.00 për të mbajtur një deklaratë për shtyp para popullit. Sipas mediave serbe, presidenti do të flasë për situatën në Kosovë. Disa ditë më parë ishte adresimi i tij i fundit lidhur me situatën, kur edhe paralajmëroi se do të merrte vendime të rëndësishme. Por nuk e sqaroi se për çfarë e kishte fjalën. Ndërkohë që sot, Serbia ka shpallur ditë zie për 3 serbët e vrarë në Veri të Kosovës gjatë përplasjes me armë zjarri.
Çfarë ndodhi në Kosovë më 24 shtator?
Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rruge nga dy kamionë pa targa në fshatin Banjskë të Zveçanit. Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, Policia i vrau tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa i arrestoi 8 të tjerë. Por aksioni duket se vazhdon edhe sot. Dhjetëra automjete të KFOR-it, duke përfshirë edhe makineri të rëndë kanë kaluar rreth orës 15:00 nga Mitrovica, përmes Bajnskës në drejtim të Leposaviçit, duke u rreshtuar në kufirin e Jarinjës, por ende nuk dihet shkaku. Gjithashtu, mediat vendase raportojnë se edhe një helikopteri i KFOR-it pothuajse vazhdimisht është duke fluturuar mbi këtë zonë, duke vëzhguar situatën nga ajri. Teksa ndërkombëtarët vëzhgojnë, Policia e Kosovës vazhdon "krehjen" e terrenit, në kërkim të gjurmëve të terroristëve. Janë gjetur armë dhe municione të tjera, por nuk ka persona të arrestuar./Zëri.ai