
ATHINË- Zjarret në Greqi shënuan viktimën e parë ditën e hënë. Një grua 65-vjeçare, Nadia, u dogj teksa ishte bllokuar në banjon e dyqanit ku punonte. 65-vjeçarja u fsheh në banjo për t’u mbrojtur nga zjarret, por nuk ia doli të mbijetonte. Në momentet e saj të fundit, ajo ishte duke biseduar me një nga kolegët e saj në telefon.
“Thanas, po digjem, mbylle telefonin!,”- tha e moshuara për herë të fundit.
Dyqani ku ajo punonte u përfshi nga flakët pasi një pemë që po digjej i ra sipër mbi çati. E moshuara nga Moldavia kishte punuar punuar për më shumë se 20 vjet në vendin ku edhe humbi jetën. Kolegët e saj, me lot në sy, lanë disa lule të bardha në trotuare për t'i dhënë lamtumirën Nadias punëtore që la pas dy fëmijë.
“Sapo pashë zjarrin, e telefonova dhe e pyeta se çfarë po ndodhte, ajo ishte shumë e frikësuar. Ne nuk e dinim ç'të bënim. Menjëherë vendosëm të shkojmë tek ajo dhe ta shpëtonim, por ishte tepër vonë,”- tha kolegu i saj.
Nadia nuk arriti të dilte nga banjoja e dyqanit në kohë. Edhe pse pronari i dyqanit dhe zjarrfikësit kërkuan gjatë gjithë natës për trupin e saj, hasën vështirësi për ta nxjerrë atë nga rrënojat. Varrimi i saj do të mbahet sot./ZËRI