
SPANJË- Të paktën 4 persona kanë vdekur dhe 15 janë të zhdukur për shkak të një zjarri masiv që përfshiu dy blloqe apartamentesh në qytetin spanjoll të Valencias. Sipas informacioneve, mes të zhdukurve, janë një familje prej katër anëtarësh, duke përfshirë një djalë tre vjeç dhe një vajzë 15 ditëshë. Të dhënat janë të konfirmuara për BBC nga shërbimet e urgjencës. Zjarri përfshiu një bllok 14-katësh në lagjen Campanar dhe u përhap në një ndërtesë ngjitur.
Ekspertët thonë se veshja e ndërtesës ishte ajo që shkaktoi përhapjen e zjarrit me shpejtësi. Godina ka 138 banesa, në të cilat banonin 450 banorë. Kryebashkiaku i Valencias, María José Catalá tha se autoritetet ende po përpiqeshin të gjenin të zhdukurit, ndërsa ka shpallur edhe një ditë zie zyrtare për viktimat e zjarrit.
Një grua tha për TVE se kishte parë zjarrfikës duke u përpjekur të shpëtonin një djalë adoleshent të bllokuar në katin e parë të ndërtesës. Ndërkohë, 14 persona kanë mbetur të plagosur, nga të cilët vetëm 6 ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Kryeministri i Spanjës është nisur drejt vendngjarjes ku pritet të mbërrijë rreth mesditës së sotme.
Teksa punohet për të gjetur të zhdukurit, në Spanjë ka nisur hetimi për me materialet e përdorura në ndërtimin e ndërtesës, e cila është ngritur gjatë viteve 2008-09. Veshja është përshkruar nga ekspertët si efektive për izolimin e nxehtësisë, ka edhe efektin që është shumë e ndezshme.
Një tragjedi e ngjashme ka ndodhur edhe në vitin 2017, në Kullën Grenfell të Londrës, ku ndërruan jetë 72 persona./ZËRI