
SHBA- Presidenti i sapozgjedhur i SHBA, Donald Trump ka lancuar kriptomonedhën e tij, e cila u rrit shumë shpejt në kapitalizimin e tregut. Lancimi i monedhës "$Trump" vjen kur ai të hënën (nesër) merr detyrën si presidenti i 47-të i SHBA-së.
Sipërmarrja u koordinua nga CIC Digital LLC - një degë e Organizatës Trump - e cila më parë ka shitur këpucë dhe aroma të markës Trump. Monedhat meme përdoren për të krijuar popullaritet për një trend apo lëvizje virale në internet, por u mungon vlera e brendshme dhe janë investime jashtëzakonisht të paqëndrueshme.
Sipas BBC, CIC Digital LLC dhe Fight Fight Fight LLC zotërojnë 80% të aksioneve, por është ende e paqartë se sa para mund të fitojë Trump nga sipërmarrja. Por edhe pse nuk dihet ende shifra, kritikët e akuzuan Trumpin se po fiton para nga Presidenca e tij. Nga ana tjetër, investitorët e kriptomonedhave shpresojnë se administrata Trump do të nxisë industrinë.
Edhe Trump më parë ishte i shqetësuar për kriptomonedhën, por në një konferencë Bitcoin në Nashville vitin e kaluar ai tha se Amerika do të ishte "kryeqyteti i kriptove të planetit" sapo ai të kthehej në Uashington./ZËRI