
SAO PAOLO - Një serb i ekzekutuar para syve të familjarëve së tij javën e kaluar në Brazil është identifikuar si vrasës me pagesë, i kërkuar nga Interpoli për vrasje të shumta me porosi. "Hetimet treguan se ai jetonte këtu në mënyrë klandestine dhe me një emër të rremë slloven", u tha gazetarëve të premten oficeri kryesor në hetim, Luiz Ricardo Lara Dias Jr.
Dias Jr tha se Interpoli e kërkonte viktimën për gati një dekadë dhe se policia beson se vrasja e tij mund të lidhet me të kaluarën e tij kriminale. Policia lokale këtë javë e identifikoi viktimën si Darko Geisler, 43 vjeç, pasi u konsultua me konsullatën sllovene në Sao Paulo bazuar në pasaportën e gjetur tek viktima - për të mësuar se pasaporta nuk i përkiste atij, por një shtetasi slloven që humbi atë në 2017.
Kërkimi për fotografitë e Geisler në internet ndihmoi policinë ta identifikonte atë si një vrasës me pagesë, një serb i kërkuar në Mal të Zi për vrasje të shumta dhe posedim të armëve dhe eksplozivëve, raportoi Jam Press. Autoritetet malazeze konfirmuan se Geisler ishte një vrasës me pagesë.
Policia tani beson se Geisler kishte jetuar në Brazil për nëntë vjet, duke fshehur identitetin e tij pasi u arratis nga Mali i Zi për në Bosnje, pas ekzekutimit të një burri në një burg në ditën e Krishtlindjeve në 2014. Ai u zhduk pas kësaj.
— dsds_567 (@dsds_567) January 10, 2024
Pasi u vendos në Brazil, Geisler takoi bashkëshorten e tij të ardhshme në 2015 ose 2016 dhe u transferua në Santos. Gruaja e tij pretendoi se nuk kishte asnjë ide për identitetin e tij të vërtetë. Njerëz të afërt të çiftit kanë thënë se nuk e njihnin serbin si një njeri që mund të kishte probleme në të kaluarën. Ai shoqëronte çdo ditë djalin në shkollë dhe sa duket ishte bërë familjar i devotshëm. Një fqinj tjetër tha se Geisler shpesh luante lojëra me djalin e tij në rrugë dhe se ai shpesh vizitonte furrën lokale me familjen e tij. Ai shkonte çdo ditë atje për të marrë cigare dhe u tregonte të gjithëve se punonte si marangoz.
Ai pretendoi se familja e tij kishte marrë para nga një biznes që ai zotëronte në "vendin e tij" në Slloveni. Geisler u vra, ndërsa ishte me familjen e tij. Pamjet e kamerave CCTV treguan Geislerin me gruan dhe djalin e tij, tre vjeç e gjysmë, teksa ktheheshin në shtëpi me biçikletat e tyre, kur një person i armatosur vrapoi nëpër rrugë dhe qëlloi Geislerin në distancë.
Vrasësi ka veshur maskë dhe doreza dhe është larguar nga vendi i ngjarjes me një makinë të zezë, pa lënë gjurmë. Identiteti i tij ende nuk dihet. Një fqinj që dëgjoi të shtënat dhe gruaja e Geisler duke bërtitur thirrën Policinë Ushtarake dhe shërbimet e urgjencës dhe Geisler u shpall i vdekur në një spital aty pranë. Policia braziliane vazhdon kërkimin për vrasësin e Geisler. Autoritetet besojnë se e kaluara e tij kriminale mund të ketë luajtur një rol në vdekjen e tij dhe policia në Brazil dhe Mal të Zi do të punojnë së bashku për të gjetur vrasësin./ZËRI/