RUSI- Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka njoftuar për një armëpushim për Pashkët Ortodokse me Ukrainën, siç konfirmohet edhe nga Kremlini zyrtar.
"Me vendim të Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse, Vladimir Putin, është shpallur një armëpushim në prag të festës së ardhshme ortodokse të Pashkëve, nga ora 16:00 e 11 prillit deri në fund të ditës më 12 prill 2026", theksohet në deklaratë.
Sipas deklaratës, Ministri i Mbrojtjes i Rusisë Andrei Belousov dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse Valery Gerasimov janë udhëzuar të ndërpresin operacionet luftarake përgjatë të gjitha fronteve gjatë kësaj periudhe.
Sipas Kremlinit, trupat duhet të jenë të përgatitura për të penguar çdo provokim të mundshëm nga armiku, si dhe çdo veprim agresiv, duke shtuar se pret që pala ukrainase të ndjekë Rusinë.
Nga ana tjetër, nuk ka ende një reagim të qartë nga pala ukrainase lidhur me këtë njoftim, ndërsa në raste të mëparshme, marrëveshje të ngjashme për armëpushim janë shoqëruar me akuza për shkelje nga të dyja palët.
Putini shpalli në mënyrë të njëanshme një armëpushim 30-orësh Pashkët e kaluar, por secila palë akuzoi tjetrën për shkeljen e tij./ZËRI