Bota

VD- Nisin trazirat në Turqi, kurdët dalin në rrugë. Komisioni i Zgjedhjeve cakton kryetar bashkie kandidatin humbës

Kurdët i druhen një vendimi që bashkitë që janë fituar prej tyre mund të kalojnë në administrim shtetëror

E.K
VD- Nisin trazirat në Turqi, kurdët dalin në rrugë.
Protestat

TURQI- Rezultati i zgjedhjeve në Turqi, ka shkaktuar trazira në disa qytete të vendit, kryesisht në juglindje. Vendimi i Komisionit Rajonal Zgjedhor për të mos njohur fitoren e kandidatit kurd për bashkinë e Van-it, e cila përbëhet nga një shumicë dërrmuese kurdësh, ka sjellë trazira në këtë qytet. Komisioni shpalli fitues të zgjedhjeve kandidatin e Erdogn, që u rendit i dyti në zgjedhjet e së dielës, duke sjellë një sëre protestash në qytetet e tjera me shumicë kurde.

Abdullah Zeydan rezultoi fitues me 55.48% të votave të elektoratit kundrejt 27.15% të votave të marra nga kandidati i Erdoganit, megjithatë Komisionit Rajonal Zgjedhor mori në konsideratë një ankesë të Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, e cila pretendoi vetëm 5 minuta para përfundimit të orarit zyrtar të zgjedhjeve se ai nuk plotësontë kushtet për të kandiduar.

Drejtuesit e partisë kurde DEM, e konsideruan këtë një “grusht shteti” në shkelje të të gjitha ligjeve dhe të drejtave të vetëvendosjes së popullit përmes kutisë së votimit. Më herët shumica e bashkive kurde, ishin drejtuar nga administratorë të zgjedhur nga shteti, pasi qeveria e Erdogan vendosi që të mos njihte kandidatët e dalë me vota popullore.

Kurdët i druhen se praktika e ndodhur në bashkinë Van, mund të ndiqet dhe në bashkitë e tjera, ku ata përbëjnë shumicën.

Për këtë shkak mijëra të rinj janë derdhur nëpër rrugët e qyteteve dhe kanë djegur goma duke hedhur slogane kundër qeverisë.

Situata është mjaft e tensionuar në Turqi pasi Presidenti Erdogan humbi zgjedhjet lokale pas më shumë se dy dekadash në pushtet. Kandidatët e Erdoganit humbën zgjedhjet në Stamboll, Ankara, Izmir dhe qytete të tjera të mëdha. Edhe pse zgjedhje lokale, kjo konsiderohet një humbje e Erdoganit pasi ai e konsideroi një referendum duke e bërë vetë fushatën e kandidatëve të tij. Ligjërisht Erdogan do të duhet të tërhiqet nga skena politike në vitin 2028, nëse deri atëherë nuk do të ketë një ndryshim tjetër të Kushtetutës.

Poll

MOS HUMB