Bota

Vdekja që po shokon Italinë- Paolo i dha fund jetës pas bullizmit në shkollë, e quanin ‘vajzë e vogël’

Vetëm një nga shokët e tij të klasës ishte i pranishëm në varrim

E.K
Vdekja që po shokon Italinë- Paolo i dha fund jetës pas bullizmit
viktima

ITALI- Vetëvrasja e katërmbëdhjetëvjeçarit Paolo Mendico, i cili jetonte në një provincë rreth 100 km larg Romës, ka shkaktuar tronditje te opinion publik në Itali. 14-vjeçari, i dha fund jetës në dhomën e tij të gjumit, pak minuta pasi iu kishte dërguar një mesazh në celular shokëve të tij të klasës.

"Në shkollë, më ruani një vend në rreshtin e parë", shkroi adoleshenti.

Sipas anëtarëve të familjes së tij, Paolo ishte shënjestër e ngacmimeve dhe sulmeve homofobike në shkollë. Në klasë, e quanin "vajzë e vogël" dhe "Paola". Edhe pse ai ishte një nxënës i mirë, bullizimi ndaj tij ka qenë i vazhdueshëm, dhe nuk mori fund as pas ndërrimit të shkollës.

Vëllai i madh i Paolo Mendicos, në një letër drejtuar Papës Leo XIV , Kryeministrit Giorgia Meloni dhe Ministrit të Arsimit Giuseppe Valditara, bëri thirrje për marrjen e masave të vërteta për të parandaluar vetëvrasjet e mëtejshme të adoleshentëve. "Vdekja e vëllait tim dëshmon për dështimin e shoqërisë sonë", shkruan Ivan Mendico.

"Në funeralin e djalit tim, erdhi vetëm një nga shokët e tij të klasës dhe në të kaluarën kishte mësues që inkurajuan ngacmimin dhe injoruan hapur ankesat tona", tha nëna e të riut të ndjerë. Mësuesit e tij mohojnë çdo përgjegjësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, por Ministri italian i Arsimit ka urdhëruar një hetim të menjëhershëm administrativ. Zyra e prokurorit të Cassino po heton gjithashtu këtë rast tragjik, duke u përqendruar në krimin e nxitjes për vetëvrasje.

"Problemi i ngacmimit për fat të keq po rritet në të gjithë Evropën, për shkak të përdorimit të mediave sociale. Është një çështje e madhe", tha kreu i Ministrisë italiane të Arsimit, Valditara. Përfaqësuesit e të gjitha partive politike theksuan rëndësinë kyçe të një reagimi të menjëhershëm nga autoritetet kompetente ndaj çdo sjelljeje të dhunshme kundër adoleshentëve brenda dhe jashtë institucioneve arsimore.

Së fundmi, një studim i kohëve të fundit zbuloi se 19% e fëmijëve të moshës 11 deri në 13 vjeç janë viktima të ngacmimit dhe sulmeve të dhunshme, përfshirë homofobinë. Këto sulme trefishojnë rrezikun e depresionit dhe tendencave vetëvrasëse./ZËRI

Poll

MOS HUMB