KOSOVË- Vetëvendosje e Albin Kurtit ka marrë një fitore bindëse, gjatë zgjedhjeve parlamentare që janë mbajtur këtë të dielë në Kosovë.
Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga sistemi i numërimit i KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje! kryeson bindshëm zgjedhjet me 50,13% të votave, duke grumbulluar 400,793 vota në nivel vendi.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20,94% ose 167,408 vota, ndërsa e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 13,93% apo 111,338 vota.
Pas tyre vjen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5,88% (47,021 vota).
Nisma Socialdemokrate ka marrë 1,64% ose 13,094 vota.
Sipas panelit informues, deri në momentin e raportimit janë numëruar 824,850 vota nga 1,999,204 gjithsej, që përbën 41,26% të pjesëmarrjes së përpunuar, ndërsa 2,324 nga 2,557 vendvotime janë procesuar (90,89%).
Rezultatet mbeten paraprake dhe pritet të përditësohen me vazhdimin e procesit të numërimit. Megjithatë kreu i LDK, Lumir Abdixhiku, ka pranuar se rezultati “nuk është ai që kemi pritur” dhe se “nuk është ai që unë si kryetar kam dëshiruar të shoh ndonjëherë”.
Në deklarimin e tij, Abdixhiku theksoi se vendimi i qytetarëve duhet respektuar. “Kur populli e jep verdiktin e vet, ne duhet patjetër ta respektojmë. Ky është verdikti qytetar dhe para këtij verdikti përulemi të gjithë, sepse kështu funksionon demokracia”, u shpreh ai.
Ai tha se shpreson që LDK t’i ketë përfaqësuar mbështetësit e saj “me dinjitet”, duke nënvizuar se do të ndërmarrë hapa të menjëhershëm brenda partisë për të analizuar rezultatin dhe vendimmarrjen e mëtejshme.
“Për këtë arsye do të thërras menjëherë Kuvendin e LDK-së dhe para tij do t’i shpalosim e shqyrtojmë të gjitha çështjet, përfshirë edhe përgjegjësinë time si kryetar i kësaj shtëpie të demokracisë”, deklaroi Abdixhiku.