
GJERMANI- Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Gjermani, ku një 31-vjeçare ra në pranga pasi thuhet se është përgjegjëse për vjedhjen spektakolare nga kompania e transportit të parave ‘Loomis’ në Bremen më 21 maj 2021. Ajo ishte fshehur për dy vite e gjysmë, por tani është arrestuar. Hetuesit gjermanë arrestuan në aeroportin e Bremenit hajduten e 8 milionë eurove, Yasemin Guendogan, 31 vjeç.
Pas grabitjes së saj prej 8 milionësh në maj 2021, ajo fillimisht u largua jashtë vendit. Tani ajo ka vendosur t'i dorëzohet autoriteteve, siç ka bërë të ditur avokati i saj, sipas “Bild”. Ajo udhëtoi nga Turqia në Bremen të martën, më pas u arrestua dhe tani është në paraburgim.
Si ndodhi vjedhja spektakolare
Puna e Yasemin Guendogan te kompania ‘Loomis’ ishte që të paketonte kartëmonedhat në kuti parash, të cilat më pas dërgoheshin me makinat e blinduara në bankomatet e bankave.
Të premten e 21 majit 2021, ajo goditi: Në vend që t’i mbushte kartëmonedhat në kutitë e përcaktuara si zakonisht, ajo paketoi 8 milionë euro në thasë dhe i hodhi në një kontejner që normalisht përdoret për mbeturinat.
Ajo hodhi më shumë mbeturina mbi kontejner për ta kamufluar. Më pas kontejnerin e nxori jashtë, paratë i shkarkoi në një Mercedes Vito të marrë me qira në Berlin me targa të vjedhura, hyri brenda dhe u zhduk pa lënë gjurmë. Vetëm pas katër ditësh, kur punonjësit po fusnin kutitë me para në bankomatet e bankave, vunë re krimin. /ZËRI