Bota

Von der Leyen në Prishtinë/ Osmani thirrje BE-së të heqë masat ndëshkuese, presidentja e KE: Duhet më shumë punë

Osmani beri thirrje të hiqen masat ndëshkuese të ndërmarra nga BE ndaj Prishtinës, pasi këto kanë dëmtuar procesin e dialogut me Serbinë.

Zeri
Von der Leyen në Prishtinë/ Osmani thirrje BE-së të
Ursula Von der Leyen dhe Vjosa Osmani

PRISHTINË- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në kuadër të vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor u takua me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani. Osmani beri thirrje të hiqen masat ndëshkuese të ndërmarra nga BE ndaj Prishtinës, pasi këto kanë dëmtuar procesin e dialogut me Serbinë.

“Është koha e fundit që masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht. Përveç të padrejta, këto masa po dëmtojnë qytetarët dhe kanë dëmtuar procesin e dialogut duke e bërë atë tërësisht të pabalancuar, pabarabartë dhe të pakredibilitet”, tha Osmani.

Por, Von der Leyen tha se Prishtina duhet të punojë më shumë që Bashkimi Evropian të heqë masat ndëshkuese që ka vendosur. Më tej, ajo përgëzoi Kosovën për hapjen e pikës kufitare në Merdarë për mallrat nga Serbia, ku shtoi se me më shumë bashkëpunim do të hiqen masat e marra ndaj Kosovës.

“Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm në mënyrë që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat. Edhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare, pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për çdo hap. Ne të dyja jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. Për mua është e rëndësishme që ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së”, tha von der Leyen.

Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës vitin e kaluar, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe. Ndërsa, përsa i përket planit të rritjes, Von der Leyen tha se Kosova do të përfitojë 60 milionë euro nga kjo paketë, deri në fund të vitit 2027, nëse përmbush reformat Kosova do të përfitojë 882 milionë euro, duke u bërë përfituesja më e madhe e këtij plani për banorë.

“Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është i planifikuar që t’i sjellë ekonomitë e rajonit më afër tregut tonë të përbashkët dhe të integrohen në tregun tonë të përbashkët. E dimë që suksesi i madh i zgjerimit nuk janë vetëm marrëveshjet politike dhe ndarja e vlerave, por është dhe prosperiteti ekonomik që e kemi parë te shtetet që i janë bashkuar BE-së”, tha Von der Leyen.

Presidentja e KE-së e nisi turin e saj në Tiranë, më pas vizitoi Shkuptin, Beogradin, Sarajevën dhe sot Prishtinën, ndërsa e mbyll vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor me Podgoricën. Gjatë vizitës në Tiranë, Von der Leyen ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është prioritet i saj edhe në mandatin e saj të dytë si shefe e organit ekzekutiv të bllokut. Gjatë vizitës së saj në Tiranë, ajo tha se Shqipëria do të marr një financim prej 64 milion eurosh deri në fund të vitit dhe gjithashtu edhe 920 milion euro nga plani i rritjes. /ZËRI

Poll

MOS HUMB