
SERBI- "Vrasësi po shëtit nëpër Beograd, i ftohtë si vdekja”, “vrasësi i fëmijëve”, “Kosova dhe Metohija është pjesë e Serbisë”, “Populli serb është me Rusinë”…
Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, është sulmuar verbalisht mbrëmjen e djeshme nga disa gra nëpër rrugët e Beogradit teksa ishte duke ecur me bashkëshorten e tij. Përveçse e kanë fyer me fjalë të rënda, gratë ‘protestuese’ e kanë filmuar për 10 minuta Ambasadorin, për rolin e tij në vitin 1999 kur ishte bombarduar Serbia.
Hill ishte njëri nga negociatorët amerikanë që kishte provuar të gjejë një zgjidhje paqesore për Kosovën e Serbinë. Por, Millosheviç i kishte hedhur poshtë të gjitha ofertat që kishte çuar në bombardimin e Repupublikës Federale të Jugosllavisë.
Hill ka filluar punën si ambasador i SHBA në Beograd ne mars të vitit të kaluar. Si duket reputacioni i tij tek serbët është ende ai i ‘bombarduesit’ të Serbisë.
“Populli serb e përkrah Rusinë, populli serb nuk i përkrah nazistëte Ukrainës”. “Po shëtisni i lirë në tokën serbe derisa po sundojnë tradhtarët”, “Kosova dhe Metohija do jenë përgjithmone serbe”, kanë qenë disa nga fjalët ndaj Ambasadorit i cili kohë pas kohe ka kontrolluar telefonin e tij dhe i paprovokuar ka ecur drejt një muzeu.