ISLAMABADI- Një video virale që tregon një "vrasje nderi" në një pjesë të largët të vendit, ku krime të tilla shpesh kalojnë pa u vënë re, ka shkaktuar zemërim në të gjithë botën. Ndërsa qindra "vrasje nderi" kryhen në Pakistan çdo vit, videoja që tregon një grua dhe një burrë të akuzuar për shkelje kurore që çohen në shkretëtirë nga një grup burrash dhe vriten, ka shkaktuar zemërim kudo në botë. Videoja tregon gruan, Bano Bibi, e cila merr Kuranin nga një burrë. Për ketë të fundit, Policia thotë se e ka vëlla. Në video ajo dëgjohet që i thotë: Eja ec shtatë hapa me mua, pastaj mund të më qëllosh!
Më pas, ecën disa metra dhe ndalet me shpinë nga burrat.
Videoja më poshtë kap momentet rrëqethëse para ekzekutimit:
Vëllai i saj, Jalal Satakzai, e qëlloi atë tri herë. Sekonda më vonë, ai qëlloi dhe vrau Ehsan Ullah Shamalani-n, me të cilin Bano dyshohet se kishte një aferë. Sapo videoja e vrasjeve, e cila ndodhi në provincën Balochistan të Pakistanit, u bë virale, qeveria e vendit nxitoi të ndërmerrte veprime, ndërsa politikanët, klerikët dhe organizatat e të drejtave të njeriut e dënuan krimin.
Policia ka arrestuar 16 persona në distriktin Nasirabad të Balochistanit, përfshirë një kryetar fisi dhe nënën e gruas. Nëna, Gul Zan Bibi, tha se vrasjet u kryen nga familja dhe zyrtarët lokalë bazuar në “traditat shekullore të Baloch” dhe jo me urdhër të kryetarit të fisit.
“Ne nuk kemi kryer asnjë mëkat. Bano dhe Ehsan u vranë bazuar në traditat tona.”
Sipas saj, vajza e saj, e cila ka tre djem dhe dy vajza, ishte larguar me Ehsanin dhe ishte kthyer në shtëpi pas 25 ditësh.
Këshilli Suprem i Ulemasë i Pakistanit i quajti vrasjet "joislamike" dhe bëri thirrje për akuza për terrorizëm kundër autorëve. Dhjetëra anëtarë dhe aktivistë të shoqërisë civile protestuan të shtunën në Quetta, kryeqytetin e Balochistanit, duke kërkuar drejtësi dhe heqjen e sistemit paralel të gjykatave fisnore.
Komisioni i të Drejtave të Njeriut i Pakistanit regjistroi të paktën 405 vrasje për nder në vitin 2024. Shumica e viktimave janë gra, kryesisht të vrara nga të afërm që pretendojnë se po mbrojnë nderin e familjes./ZËRI